Dënohet me kusht polici kufitar që akuzohej se lejoi të hyjë në Kosovë personin me fletarrest ndërkombëtar

E publikuar: 10/05/2018 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjashtë muaj burgim me kusht, ka shqiptuar të enjten Gjykata Themelore në Ferizaj, ndaj policit kufitar, Shpëtim Bela, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Dënimi ndaj Belës, që akuzohej se më 13 korrik të vitit 2017, i kishte mundësuar të kërkuarit nga Interpoli, Xhemajl Gottermejer të hyjë në Kosovë pa u regjistruar fare në sistemin e regjistrimit të udhëtarëve “SMK”, nuk do të ekzekutohet nëse ai gjatë periudhës prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimi nga kryetarja e trupit gjykues, Hysnije Gashi, i akuzuari Bela, është urdhëruar që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguaj shumën prej 50 eurosh brenda afatit prej 15 ditësh, si dhe 50 euro të tjera, në emër të paushallit gjyqësor.

Në dënimin e shqiptuar, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori 2017 deri më 20 shtator 2017 dhe arresti shtëpiak prej 20 shtatorit 2017 deri më 30 tetor të atij viti.

Ndryshe, ky rast hynte në kuadër të rasteve të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Polici kufitar, Shpëtim Bela, akuzohej se duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, me dashje nuk ka kryer detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, i njëjti pretendohet se si zyrtar policor, i caktuar sipas orarit ditor në hyrje të pikë kalimit kufitar për kontrollin e dokumenteve të personave dhe automjeteve, në Han të Elezit, i ka mundësuar personit Xhemal Gottermejer, i cili kishte fletarrest ndërkombëtar, që të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës, pa u kontrolluar dhe regjistruar në sistemin “SMK”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tani i pandehuri Bela, ka qenë në dijeni se personi Xhemal Gottermejer kishte fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet zvicerane, por megjithatë ka lejuar që ai të hyjë në territorin e Kosovës, pa u regjistruar fare./betimiperdrejtesi.com