Dënohet me burg kosovarja që pranoi se ishte pjesë e ISIS-it

E publikuar: 24/01/2020 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy vjet burgim me kusht ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarës për pjesëmarrje në grupe terroriste Remzije Qazimi, pasi që ajo në seancë fillestare, e kishte pranuar fajësinë.

Ky dënim me kusht i shqiptuar ndaj saj nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej tri viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të premten nga gjykatësi i Departamentit Special, Valon Kurtaj.

Gjykatësi Kurtaj ka njoftuar se nëse e akuzuara kryen vepër të re brenda periudhës së verifikimit, dënimi me kusht do t’i zëvendësohet në atë me burgim, ku do të llogaritet edhe koha që ajo ka kaluar në arrest shtëpiak.

Përveç dënimit me kusht, e akuzuara është obliguar që të përmbushë detyrimin për vizitë tek psikologu apo këshilluesi dhe që të veprojë në pajtim me rekomandimet e tyre për një periudhë dyvjeçare.

Për mbikëqyrjen e zbatimit të dënimit me kusht dhe detyrimit të veçantë të shqiptuar ndaj saj, gjykata ka obliguar Shërbimin Sprovues të Kosovës.

E akuzuara Qazimi është liruar nga pagesa e shpenzimeve procedurale për shkak se e njëjta është përfituese e ndihmës sociale.

Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh nga marrja e tij.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 23 janar, e akuzuara Qazimi ishte deklaruar fajtore për këtë vepër penale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 26 dhjetor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Remzije Qazimi për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.

Sipas PSRK-së, Remzije Qazimi akuzohet se më 23 gusht 2014, me dashje, me vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Republikën e Kosovës dhe përmes aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar në Stamboll, ndërsa përmes Republikës së Turqisë, së bashku me bashkëshortin e saj kanë udhëtuar me një kombi nga qyteti Adana për në Karatash, e pastaj kanë kaluar në Siri.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Qazimi akuzohet se është financuar rregullisht me një shumë të hollash në vlerë prej 12-65 dollarë në muaj, kështu që me dashje dhe me qëllim i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, e cila në këto vende është duke luftuar, vepruar, duke shkaktuar akte dhune nga maltretimet më të skajshme e gjer te vrasjet e civilëve të pafajshëm në këto shtete, e cila organizatë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është shpallur si terroriste.