Dënohet kërcënimi i Lushtakut ndaj kryeredaktorit të “Botës Sot”

E publikuar: 13/03/2015 19:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reguar pas kërcënimeve që i janë bërë kryeredaktorit të gazetës “Bota Sot”, Idriz Morina nga deputeti, Nuredin Lushtaku.

AGK në një njoftim të saj i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që ta hetojë sa më shpejt këtë rast, me të cilin përveç pengimit të punës së gazetarit, rrezikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vetë jeta e gazetarëve.

Njoftimi i plotë:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar se kryeredaktori i gazetës “Bota Sot”, Idriz Morina, është kërcënuar me jetë nga deputeti Nuredin Lushtaku.

Siç ka treguar z.Morina, ai është kërcënuar dhe fyer përmes telefonit pas publikimit të artikullit, “Analistët, komandanti Adem Jashari ishte tradhtuar dhe braktisur nga bashkëluftëtarët!?”.

AGK i bën thirrje Policisë së Kosovës që ta hetojë sa më shpejt këtë rast, me të cilin përveç pengimit të punës së gazetarit, rrezikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe vetë jeta e gazetarëve.

AGK i bënë thirrje të gjitha palëve që t`i përmbahen normave ligjore për zgjidhje të kontesteve, të çfarëdo natyre qofshin ato.

Njëherësh AGK, fton kolegët gazetarë të mos ndikohen nga raste të tilla në punën e tyre dhe shpreh shqetësimin për rritjen e rasteve të raportimit për kërcënime, shantazhe dhe forma tjera të keqtrajtimit të gazetarëve.

13 mars 2015, Prishtinë