Dënohet ish-zëvendësministri i shkarkuar i Qeverisë Haradinaj

E publikuar: 22/11/2018 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 6 muaj burg ish-zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.
Më pak se një muaj pasi që ishte arrestuar, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka gjetur fajtor dhe dënuar me 6 muaj burg ish-zëvendësministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena.

Me gjithë këtë, Cena nuk do të shkojë asnjë ditë të vetme në burg pasi që është pajtuar që dënimi i tij të kthehet në dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë euro, raporton kallxo.com.

Sanksion më i butë i është shqiptuar të akuzuarit tjetër të këtij rasti, Nusret Shala, po ashtu i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare të cilit i është shqiptuar dënimi në shumë 4 mijë euro.

Për dallim prej dy të parëve, i akuzuari i tretë, Hazër Shehu, që ngarkohej për ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare, është dënuar me 3 muaj burg ndërsa me pajtimin e tij i është kthyer në dënim në gjobë prej 2 mijë euro.

Të tre të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë për veprën që u vihej në barrë nga Prokuroria.

Tani i shkarkuar, Cena u arrestua më 20 tetor të këtij viti nën dyshimin për ryshfet mirëpo pas hetimit rezultoi me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndërsa hetimet për ryshfet pushoi.