Dënohen me burgim Menduh Thaçi, Sasho Mijallkov e Bedredin Ibraimi

E publikuar: 08/03/2019 18:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Shkupit ka dënuar me tre vjet burgim ish-drejtorin e Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, dhe liderin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për lëndën “Titanik 2” e ngritur nga Prokuroria Speciale, meqë ka të bëjë me parregullsitë në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Dënimi më i madh i është shqiptuar Bedredin Ibraimit me 4 vjet e gjysmë burgim, i cili ishte anëtar i Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare, gjatë zgjedhjeve lokale të 2013-s.

Me 3 vjet burgim janë dënuar edhe tre anëtarët e tjerë të Komisionit Shtetërorë të Zgjedhjeve që vijnë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Sasho Srcev, Aneta Stefanovska , Vlatko Sajkovski.

Në gjykatë për të dëgjuar shqiptimin e dënimit nuk ka qenë i pranishëm tashmë i dënuari Menduh Thaçi.

Trupi gjykues ka miratuar propozimin e Prokurorisë Speciale dhe menjëherë pas shqiptimit të dënimit, u ka caktuar masë paraburgimi ish -drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, si dhe ish-anëtarit të Komisionit Shtetërore të Zgjedhjeve, Bedredin Ibraimi për shkak të, siç ka theksuar prokurorja Fatime Feta nga Prokuroria Speciale Publike, ekziston rreziku për arratisje.

Prokuroria Speciale Publike për të dënuarit e tjerë ka kërkuar masë shtesë sigurie, të cilët duhet të paraqiten në Gjykatë një herë në javë.

Ndryshe në bisedat e përgjuara të bëra publike për opinionin nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në kohën kur ai ishte në opozitë, dëgjohet se si Mijallkov kërkon nga Thaçi që anëtari i KSHZ-së nga radhët e partisë së tij, Bedredin Ibraimi, të votojë për shkatërrim të votimit në vendvotimin në Strumicë, edhe pse për atë nuk ka pasur bazë.

Gjykata ka pranuar që dy nga të ashtuquajturat “bomba” nga materialet e përgjuara, të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.

Gjykatësi Ognen Stavrev ka theksuar se të dënuarit, të cilët kanë qenë anëtarë të KSHZ-së gjatë 2013-s, kanë pasur për detyrë që në bazë të Ligjit të mundësojnë një proces të rregullt zgjedhor, ndërkohë që ata për interesa partiake, e kanë manipuluar procesin zgjedhor.

“Askush nuk ka të drejtë ta uzurpojë shtetin e së drejtës për përfitime personale. Dalja jashtë kompetencave zyrtare është dëm ndaj sistemit të drejtësisë për interesa partiake”, ka Stavrev.

Pas kërkesës së prokurores Fatime Fetai, nga Prokuroria Speciale për të caktuar masën e paraburgimit, drejtori i Policisë Sekrete ka theksuar se nuk është stili i tij arratisja.

“Nëse vendosi Apeli, do ta vuaj burgun. Me arratisje nuk zgjidhen problemet. Stili i të jetuarit tim nuk është arratisja”, ka theksuar Mijallkov.

Përderisa Bedrein Ibrahimi ka ironizuar me fjalët se do t’i qeshë në fytyrë prokurores Fetai, pas ankimimit në instancat më të larta gjyqësore, ku siç ka thënë ai, do të dëshmojë pafajësinë e tij.

“Bedredin Ibraimi është lindur këtu, dhe këtu do të jetojë derisa të vdes. Derisa para institucioneve më të larta nuk dëshmoj pafajësinë time. Këtu do të qëndroj dhe më pas, në fytyrë do t’ju qesh, pasi ky është vetëm vendim i shkallës së parë”, ka thënë Ibraimi.

Avokatët e të gjithë të dënuarve për rastin “Titanik 2”, kanë bërë të ditur se do ta ankimojnë vendimin e së premtes në Gjykatën e Apelit.