Demokracia Studentore kërkon që studentët të lirohen nga pagesat

E publikuar: 10/09/2020 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Demokracia Studentore ka kërkuar nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës që t’i lirojë studentët nga të gjitha pagesat.

Në njoftim bëhet e ditur se sot në ora 14:00 do të mbajë mbledhjen e radhës Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, ku ndër pikat e rendit të ditës është edhe kërkesa e studentëve që të lirohen nga të gjitha pagesat,transmeton Telegrafi.

“Studentët janë kategoria më e varfër në vend dhe vazhdimisht po na bëhet presion nga fakultetet për t’i kryer pagesat e semestrave dhe pagesat të tjera që lidhen me shërbime ndaj studentëve, andaj kërkojmë nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës që në këtë kohë pandemie studentët të lirohen nga të gjitha pagesat, pasi që studenti është kategoria më e prekur në këtë situatë të rëndë ekonomike”, thuhet në njoftim.

Demokracia Studentore thekson se studentët të vetmin burim financimi e kanë familjen dhe duhet të merret parasysh gjendjen e rëndë ekonomike në kohë pandemie.