Demi: Njerëzit po kërkojnë azil nëpër Evropë, Kosova u ka mbet banditëve

E publikuar: 02/04/2019 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Agron Demi nga Instituti GAP, ka folur për largimet masive të qytetarëve nga Kosova. Ai ka thënë se kur kanë publikuar të dhënat para një viti se 11 % e popullsisë e ka lëshuar Kosovën askush nuk ka besuar, megjithatë në një publikim të Eurostat thuhet se kjo përqindje është edhe më e madhe.

“Kur i kemi publiku këto të dhëna para një viti, na thoishin që po manipulojnë me shifra. Tash Eurostat po thotë që jo 11, por që nga 2009 rreth 15 përqind e popullsisë e ka lëshu Kosovën”, ka shkruar Demi.

Në një shkrim në profilin e tij, Demi ka rikujtuar moton e famshme të PDK-së së Kadri Veselit “Për Kosovën Evropiane”.

Sipas tij nga vendi po largohen njerëzit ndërsa Kosova po iu mbetet banditëve.

“Qysh ka qenë ajo motoja e PDK: “Për Kosovën Evropiane”, pra ku njerëzit kërkojnë azil në Evropë, e Kosova i mbetet banditëve”, ka përfunduar ai.

Ditëve të fundit është diskutuar jashtëzakonisht shumë për numrin e qytetarëve kosovarë të cilët po largohen nga Kosova në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Krerët e partive politike kanë bërë thirrje tek të rinjtë që të mos ia kthejnë shpinën Kosovës.

Këto thirrje të tyre po bëhen në kohën kur po raportohet më së shumti për punësimet e familjarëve të tyre nëpër institucione publike.