Demarkacioni nuk i garanton Kosovës heqjen e vizave

E publikuar: 23/02/2017 17:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Luftimi i korrupsionit mund të paraqitet si kusht edhe më i rëndësishëm sesa demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, në procesin liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë njohës të çështjeve të integrimeve evropiane.

Sipas tyre, demarkacioni i kufirit më Malin e Zi, nuk i garanton Kosovës liberalizimin e vizave. Deri te ky konstatim, ata vijnë duke u ndërlidhur me kushtin tjetër të vënë nga Komisioni Evropian, i cili kërkon rezultate të prekshme nga institucionet e Kosovës që dëshmojnë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni Evropian në fillim të muajit maj të vitit të kaluar, në një raport të tij, pati propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën me kushtin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekon se kriteret e vendosura nga Komisioni Evropian në rastin e liberalizimit të vizave janë kritere ekstra të shpikura për shkak të problemeve të hapura e të pazgjidhura që i ka Kosova.

“Ne duhet të kuptojmë se Kosova nuk mund të ketë raporte normale më Bashkimin Evropian dhe nuk mund të merret asnjë vendim për Kosovën derisa ekzistojnë pesë mosnjohje, sepse sistemi i marrjes së vendimeve në BE është i tillë që në shumicën e rasteve sa i përket politikës së zgjerimit dhe politikës së jashtme kërkohet konsensus nga 28 shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, thekson Mazreku.

Tutje, Mazreku sqaron se sa i përket liberalizimit të vizave përdoret një sistem tjetër i votimit që quhet ‘sistem i shumicës së kualifikuar dhe qëndrimi i shteteve është esencial’.

Sipas tij, edhe nëse Kosova e fiton atë shumicë të votave ende ekziston mundësia që në Këshillin e Bashkimit Evropian “katër shtete ta përdorin mekanizmin e minorancës bllokuese”, që sipas tij, “nënkupton që së paku katër shtete mund të thirren në emër të këtij mekanizmi, e të cilat shtete duhet të përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë të BE-së”.

“Kjo do të thotë që askush, as në Bruksel dhe as në Prishtinë, nuk mund të paragjykojë vendimin final për liberalizimin e vizave dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me Kosovën, pasi që kemi të bëjmë me qëndrim të shteteve, e qëndrimi i shteteve nuk mund të paragjykohet dhe rasti që këto pesë shtete nuk e kanë njohur Kosovën e dekompozon atë që unë e quaj raport normal me Kosovës dhe BE-së”, thekson Mazreku.

Përveç, demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si njëri nga kriteret për liberalizimin e vizave, rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos të nivelit të lartë, është një kusht tjetër për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë të kenë marrë masa konkrete në përmbushjen e këtij kriteri.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Avdullahu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se janë arritur rezultate korrekte në luftën kundër korrupsionit dhe ky kriter nuk do të pengojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai thekson se parimisht për të marrë liberalizimin e vizave mbetet vetëm ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Konsiderojmë se për aq sa luftimi i korrupsionit është një çështje procesi, një çështje që nuk e ka një datë të caktuar, por kërkohet një luftim i vazhdueshëm i kësaj të keqe. Ajo si e tillë nuk është kusht që do ta pengonte liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës. I japim të drejtë vetës të konstatojmë kështu për shkak se Qeveria Mustafa që nga paslufta është më e pakorruptuara dhe ka bërë shumë në luftimin e kësaj dukurie të keqe”, ka theksuar Avdullahu.

Megjithatë, profesori i së drejtës evropiane Avni Mazreku, konsideron se qasja e institucioneve në luftën kundër korrupsionit është më tepër deklarative sesa konkrete.

Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, janë trajtuar 41 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, duke ngritur aktakuza në 12 raste, me gjithsej 129 persona të profileve të ndryshme të përfshirë në këto aktakuza, transmeton rel.

Policia e Kosovës dhe drejtoria për krime ekonomike, brenda të njëjtës periudhë kohore kanë arrestuar 40 persona të dyshuar për raste të korrupsionit dhe qindra kallëzime penale i kanë ngritur pranë institucioneve hetuese.