Demarkacioni me Malin e Zi ishte OK?

E publikuar: 30/03/2016 12:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjetjet që janë paraparë t’i prezantojë sot komisioni ad-hoc për vlerësimin e demarkacionit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, nuk pritet të jenë shumë më ndryshe nga ato që i ka deklaruar kohë më Departamenti Amerikan i Shtetit në lidhje me këtë çështje.

Mësohet se amerikani Fletcher M. Burton, gjermani Herbert Wilmes dhe britaniku Fred Newton, do të konfirmojnë, pak a shumë, atë që kishte deklaruar përfaqësia e SHBA-së në Kosovë, më 21 dhjetor 2015.

Në njoftimin e asaj dite thuhej se pas një shqyrtimi të hartave të viteve 1940 deri tashti, duke përfshirë edhe ato të përdorura nga komisioni për shënimin e kufirit, Departamenti i Shtetit Amerikan ka ardhur në përfundim që vija kufitare e përcaktuar nga Komisioni për Demarkacion është me një vijë me atë të Kushtetutës së vitit 1974.

“Kufijtë e përshkruar që nga viti 2008 përputhen plotësisht me propozimin e vitit 2015 deri në detaje. Ne konstatojmë se përfundimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit është një kusht i BE-së për liberalizimin e vizave dhe paraqet një hap të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, thuhej në konstatimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, raporton Klan K.

Komisioni ad-hoc për vlerësimin e procesit të demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, që ishte themeluar 15 ditë më parë (më 15 mars) del sot me përfundimet që ka nxjerrë, pas një pune dyjavëshe.

Vlerësimi i tyre i dorëzohet presidentes Atifete Jahjaga, pranë zyrës së të cilës ata edhe kanë punuar.

Gjatë kohës së qëndrimit në Kosovë, tre anëtarët e tij kanë zhvilluar takime të shumta me shumë palë të interesuara rreth demarkacionit dhe kanë zhvilluar vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi.

Formimi i komisionit por edhe puna e tij janë parë më dyshim nga opozita dhe një grup ekspertësh që kanë pretenduar se me marrëveshjen e nënshkruar gushtin e kaluar, mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, shteti ka humbur më tepër se 8 mijë hektarë tokë.

Zyrtarët e ekzekutivit kanë mohuar këto pretendime, duke thënë se demarkacioni është bërë sipas vijave kufitare të vitit 1974.