Delegacioni i Kosovës mbërrin në Berlin

E publikuar: 28/04/2019 21:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Delegacioni i Kosovës i ftuar për Samitin e Berlinit ka njoftuar se tashmë ka arritur në kryeqytetin e Gjermanisë.

Para nisjes për këtë samit, presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se Kosova nuk do të lejojë të diskutohet për shkëmbim kufijsh. Ai ka thënë se pret që të marrë mbështetje për liberalizim vizash nga kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron, nga të cilët po ashtu ka thënë se pret edhe kërkesën ndaj Serbisë për njohje.

“Sapo arritëm në Berlin për samitin e nesërm me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ecja përpara drejt integrimeve evropiane është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe tërë rajonin tonë!” ka shkruar Thaçi në njoftimin për arritje në Berlin.

Image

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ky takim është mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasin hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta.

“Me ftesë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron, sapo arrita në Berlin, për të marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Liderëve të Ballkanit Perëndimor. Ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike. Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane. Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj!” ka shkruar ai në Facebook.