Delegacioni FSK-së u prit në takim zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes të Sllovenisë

E publikuar: 26/10/2018 13:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një delegacion i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë të Kosovës, i përbërë nga zëvendësministri z. Burim Ramadani, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe këshilltari ushtarak i komandantit kolonel Jeton Dreshaj, po qëndron për një vizitë zyrtare në Slloveni në Kampanjën informuese për tranzicionin e FSK-së.
Në vizitën e tij të parë, delegacioni i FSK-së u prit nga AlesMismas, drejtor për Politika në Ministrinë e Mbrojtjes të Sllovenisë.

Gjatë takimit, zv. ministri Ramadani dhe gjeneral Rama e njoftuan drejtorin për politika AlesMismas me të arriturat e përgjithshme të FSK-së dhe në veçanti me procesin e tranzicionit të FSK-së. Lidhur më këtë z. Ramadani u shpreh: „Tranzicioni i FSK-së do të kontribuojë në sigurinë rajonale, duke e bërë Kosovën ofrues të sigurisë dhe jo vetëm konsumues të saj. Tranzicioni i FSK-së është proces legjitim, gradual, transparent dhe i qëndrueshëm“.

Kurse, z. AlesMismas pasi falënderoi delegacionin e FSK-së për vizitën, tha: “Angazhimi i përbashkët Kosovë-Slloveni në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut A5, si dhe rruga për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë çështje në të cilat Sllovenia mbështet Kosovën.
Gjatë takimit të përbashkët, ndër të tjera ata biseduan edhe për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis dy shteteve dhe dy ministrive, duke nënvizuar thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përgjithshëm për të dyja vendet dhe dy ministritë./Infosot/