Delawie: Dekurajuese dorëheqja e prokurorit Blakaj

E publikuar: 15/08/2018 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie ka thënë se është ditë e pikëlluar për sundimin e ligjit në Kosovë, pas dorëheqjes së prokurorit special, Elez Blakaj, si pasojë e kërcënimeve që kishte pranuar për shkak të punës së tij.

Prokurori Blakaj, i cili ka dhënë dorëheqje, ishte duke hetuar disa raste të terrorizmit dhe dyshimet për manipulime me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ambasada amerikane në Prishtinë thotë se është dekurajuese lajmi për dorëheqjen e prokurorit Blakaj.

“Është dekurajuese të dëgjosh lajmin për dorëheqjen e prokurorit special, Elez Blakaj, posaçërisht pasi ai po punonte në çështje të rëndësishme siç janë mashtrimet e mëdha në listat e veteranëve. Por, gjithashtu për shkak të të kaluarës së tij – ai kishte pasur mbështetjen e Qeverisë amerikane për të studiuar në Wake Forest, ku mori diplomën në LLM dhe hetoi raste të rëndësishme në Kosovë. Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj për sundim të ligjit, jo vetëm duke mbështetur prokurorët, por gjithashtu duke siguruar që të gjithë ata që janë të dënuar të vuajnë në burg vitet e tyre të dënimit”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka reaguar pas dorëheqjes së prokurorit Blakaj, duke thënë se institucioni që ai udhëheq, zyrtarisht nuk është njoftuar se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve.