Del Piero: Conte është “bosi” në ekip

E publikuar: 19/03/2016 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Antonio Konte do të jetë trajneri i ri i Çelsit. Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende, në Angli janë të sigurt se tekniku i kombëtares italiane do të nisë aventurën në krye të londinezëve gjatë sezonit të ardhshëm.
Alesandro Del Piero dhe Xhanluixhi Bufon tregojnë se Konte do të ketë sukses nën drejtimin e Çelsit. Sipas ish-sulmuesit të Juventusit, Konte nuk ishte i lumtur në një kombëtare sepse ai i ka dëshirë sfidat e përjavshme.

Ai thotë gjithashtu se, për të pasur marrëdhënie korrekte me Konten, lojtarët duhet që të zbatojnë rregullat e tij.

Del Piero – “E njoh prej shumë vitesh dhe kam një raport miqësor me të. Kemi luajtur bashkë për 10 vite dhe kemi fituar shumë tituj. Kur u bë trajner isha shumë i lumtur për të. Ai është një njeri pozitiv dhe shumë punëtor.

Mendoj se nuk është i kënaqur në kombëtare, sepse i pëlqejnë sfidat dhe në një skuadër do të kishte më shumë motivim. Ai kërkon të punojë mbi skemat, mbi taktikat. Në kombëtare nuk ka shumë mundësi. Vendos rregulla dhe kërkon që të gjithë lojtarët t’i zbatojnë ato. ‘Bosi’ në skuadër është vetëm ai”, ka thënë Del Piero.

Bufon – “Konte është një trajner i madh. Kur ai flet, të tjerët duhet të dëgjojnë. Ai është i fiksuar pas rregullave dhe disiplinës. I ka idetë shumë të qarta dhe gjithmonë di çfarë bën. Kërkon respekt nga lojtarët, pavarësisht se bisedon dhe ka raporte shumë miqësore me ta”, ka thënë Bufon. Konte do të firmosë një kontratë 3-vjeçare me Çelsin dhe do të bëjë gjithçka për ta rikthyer këtë skuadër në majat e futbollit anglez.