Deklarata e komandantit të NATO-s për Demarkacionin që i pëlqeu Shpejtim Bulliqit

E publikuar: 16/11/2017 11:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ushtarak i lartë amerikan, komandanti i Forcave të përbashkëta të NATO-s, James Foggo, ka qëndruar dje në Kosovë, për të marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës në KFOR.

Admirali i Ushtrisë Amerikane, aty është pyetur edhe rreth demarkacionit. Rreth kësaj teme ai pret që Kosova dhe Mali i Zi të zhvillojnë bisedime.

“Te kesh një anëtare të NATO-s në kufi siç është Mali i Zi, është një gjë e mirë për Kosovën. Në këtë aspekt unë pres që të ketë dialog produktiv mes Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë ai.

Dy ditë më parë Komisioni për Shënimin e Kufirit ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrime. Ky raport ka nxitur reagime të shumta. Bulliqi dhe anëtarët tjerë janë kritikuar se nuk kanë sjellë asgjë të re. Pas raportimit ka reaguar Presidenti Thaçi dhe Ambasada Amerikane, e cila thekson se ka mbetur e zhgënjyer me atë çfarë kanë thënë anëtarët e Komisionit. Ambasada e SHBA-së ka kërkuar që të miratohet Marrëveshja aktuale e demarkacionit pasi, sipas tyre, Kosova nuk humb tokë.

Deklarata e Foggo ku admirali amerikan flet për dialogun Kosovë – Mali i Zi rreth demarkacionit është pëlqyer nga Shpejtimi Bulliqi, i cili e ka shpërndarë edhe në rrjetet sociale.

Aktualisht Mali i Zi ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve me Kosovën për demarkacionin, duke thënë se kjo është çështje e mbyllur për ta.