Dehari: Shqiptarët janë faktor, por kërkohet unitet

E publikuar: 23/10/2016 10:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari ka thënë se shqiptarët janë faktor në Ballkan, por mbetet që ta rrisin peshën e këtij faktorizimi duke u bashkuar më shumë dhe duke bashkëpunuar më tepër.

Ai gjithashtu ka thënë se shqiptarët në Maqedoni i janë mirënjohës Kosovës dhe Shqipërisë për mbështetjen, por dy shtetet shqiptare tani, sipas tij, duhet të angazhohen edhe më shumë për të faktorizuar shqiptarët në Maqedoni.

Kurse, duke folur për mungesën e unitetit te shqiptarët Dehari ka thënë se ky mund të quhet sindrom shqiptar i përçarjeve.

Dehari, ish gueril i UÇK-së në Maqedoni flet për herë të parë në një intervistë të shkurtër për gazetën “Zëri” lidhur me unitetin dhe ndarjet ndërmjet shqiptarëve.

Zëri: Si mund të faktorizohen shqiptarët në Maqedoni, duke u bashkuar, apo duke bashkëpunuar?

Dehari: Ngado që të nisemi, qoftë nga bashkëpunimi apo bashkimi mendoj se janë dy koncepte ngushtë të lidhura njëra me tjetrën, apo që determinojnë njëra tjetrën. Duhet të nisemi nga bashkëpunimi brenda faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë në spektrin politik shqiptar, qoftë nga bashkimi i këtij të fundit, pa u ndërlidhur mes vete për mendimin tim, përsëri pasojat do të jenë drejt përçarjes ose mosdhënies së rezultatit të pritur, apo pritshmërive të qytetarëve të saj.

Andaj, mendoj që të dy konceptet duhet ngushtë të funksionojnë për të arritur qëllimet apo objektivat e shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për të faktorizuar sa më shumë peshën e tyre brenda këtij shteti.

Përkundër kësaj, në qoftë se ngelemi te bashkimi, e pastaj bashkëpunimi, kjo mund të mos jetë e frytshme, siç ndodhte edhe në rastet kur kemi qenë të bashkuar dhe nuk kemi bashkëpunuar, rezultatet pra kanë munguar.

Bashkëpunon vetëm një pjesë e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, qoftë në fushën politike, qoftë në fushat tjera dhe nuk janë të unifikuara si tërësi, përsëri rezultatet nuk janë të mjaftueshme në faktorizimin e qytetarëve shqiptar në të gjitha fushat, në të gjitha lëmit, por natyrisht edhe në spektrin politik ku më së shumti hasim në pengesa dhe probleme.