Deda: Franca është e papërgjegjshme, politika e saj po destabilizon Kosovën dhe rajonin

E publikuar: 30/10/2018 22:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se shteti i Francës është kyç në kundërshtimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Franca është shteti kyç kundër liberalizimit të vizave dhe argumentet e tyre s’kanë të bëjnë me Kosovën. Ne me Francën nuk kemi mënyrë që të komunikojmë sepse ata s’po duan të komunikojnë”, ka thënë Deda.

“Franca është e papërgjegjshme me rajonin dhe stabilitetin rajonal. Sepse politika e tyre po e destabilizon Kosovën dhe rajonin. I mas fjalitë çka i them”, është shprehur Deda në Klan Kosova.

Deputeti opozitar ka thënë se Kosova nuk do të ketë asnjë faj nëse në dhjetor BE nuk i liberalizon vizat.

“S’ka kurrfarë faji Kosova. Ata nuk mund të shpikin argumente pse Kolumbia, Gjeorgjia…, mund të lëvizin pa viza ne jo. Ky është momenti i së vërtetës. E kemi kaluar me 2/3 në Parlamentin Evropian. Vendimi është dashur të merret në muajin tetor. Nuk meriton populli ynë ta paguajmë çmimin e vendeve të rajonit. Nuk do të ketë valë të emigrimit. Nëse Evropa dëshiron të tregojë kredibilitet e ka dhjetorin për ta treguar. Dua të flas me data sepse dhjetori është muaji kur mund të merret vendimi, sepse nuk do të merret as vitin tjetër”.

Deda ka thënë se Kosova nuk guxon të dorëzohet në synimin e saj që BE-ja të votojë pro liberalizimit të vizave.

“Kemi ende kohë. Nuk bën të dorëzohemi tash, sepse në politikë sidomos me evropianë nëse dorëzohesh para kohe e ke humbur betejën. Deri më 16 dhjetor duhet të bëjnë gjithçka. Para 3 javësh kanë qenë 22 vende që kanë qenë skeptike, sot thuhet 10 – 11 dhe kjo nuk është katastrofë”.