Debati rreth marrëveshjes për emrin përcillet me protestë

E publikuar: 19/06/2018 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Maqedonisë ka nisur procedurën për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për kontestin shumëvjeçar të emrit.

Procedura deri në ratifikimin e dokumentit të arritur të dielën në pjesën e Greqisë, duhet të kalojë në dy fazë. Së pari, nevoja për ratifikimin e marrëveshjes e cila më pas kalon në komisionin për çështje evropiane, për t’u rikthyer sërish në procedurë parlamentare për miratim, më shumicë të thjeshtë të votave.

Marrëveshja më pas i dërgohet për dekretim presidentit, Gjorgje Ivanov, por ai tashmë disa herë ka bërë të ditur se nuk do të vë firmën në një “marrëveshje anti-kushtetutese që dëmton rëndë interesat kombëtare dhe shtetërore”.

Në rast të refuzimit, marrëveshja sërish kthehet për ratifikim në Kuvend dhe prapë i dërgohet për dekretim presidentit, i cili në bazë të Kushtetutës është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore.

Dragan Danev nga VMRO-DPMNE-ja opozitare tha se marrëveshja paraqet “kapitullim” për vendin, mohon identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me kulturën dhe indin maqedon.

Por, debati parlamentar po përcillet edhe me protesta të cilat po zgjasin tani pesë ditë.

Protestuesit që përbëjnë në shtresë të moshuar të popullatës, por edhe disa ish-politikanë si dhe drejtues të një partie pro-ruse thonë se do të përdorin të gjitha metodat për të parandaluar zbatimin e marrëveshjes.

Për dallim prej të dielës në mbrëmje, protesta e sotme për momentin po zhvillohet e qetë, por me brohoritje dhe parulla të ndryshme si :“Maqedoni- Maqedoni”, “Dorëheqje”, “Tradhtar”, Emrin nuk e japim”, e të tjera.

Marrëveshja që parasheh emrin “Maqedonia e Veriut” u nënshkrua në Prespë, në pjesën e Greqisë. Me të përcaktohen edhe çështjen që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin, me çka pala maqedonase heq dorë nga çdo lidhshmëri me Maqedoninë Antike apo kulturën e saj, ndërsa pranon se gjuha maqedonase i takon grupit të gjuhëve sllave.

Marrëveshja nëse zbatohet zhbllokon procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkim Evropian.