De Sciglio ka pësuar lëndim në kofshë

E publikuar: 18/09/2018 13:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Juventusi ka konfirmuar se Mattia De Sciglio ka pësuar një lëndim në kofshë gjatë nxehjes në ndeshjen kundër Sassuolos.

25-vjeçari nuk ka luajtur akoma këtë sezon, ndërsa problemet fizike, ia kishin kufizuar paraqitjen edhe në sezonin e kaluar, kur kishte regjistruar vetëm 12 paraqitje në Serie A.

Futbollisti italian ishte tërhequr nga nxehja para fitores së të dielës kundër Sassuolos, ndërsa Bianconerët tash kanë lëshuar një komunikatë në lidhje me gjendjen e tij.

“Pas tërheqjes gjatë fazës së nxehjes në fitoren e të dielës ndaj Sassuolos, Mattia De Sciglio iu është nënshtruar ekzaminimeve, të cilat kanë treguar një dëmtim në muskujt fleksorë të kofshës së djathtë”.

“Mbrojtësi ka filluar të marrë terapi dhe do t’i nënshtrohet programit personal të riaftësimit, ndërkohë që gjendja e tij po vazhdon të monitorohet në baza ditore”, thuhet në njoftimin e klubit.

De Sciglio iu bashkua Juventusit në verën e vitit 2017 nga Milani për 12 milionë euro dhe nënshkroi kontratë pesëvjeçare.

Mbrojtësi i krahut të djathtë rrjedh nga Akademia e Rossonerëve, ndërsa për ekipin e parë ka luajtur gjatë viteve 2011-2017. /Telegrafi/