De Laurentiis: Higuain ikën vetëm për 100 mln Euro

E publikuar: 17/06/2015 11:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gonzalo Higuain do të lëvize nga Napoli vetëm nëse në adresë të De Laurentiis shkon një ofertë e çmendur, jashtë çdo logjike financiare dhe sportive. Këtë e konfirmon vetë presidenti i klubit të kaltër duke u vendosur kapak të gjithë zërave që e shikojnë argjentinasin larg “San Paolos”.

“Nëse lojtari ka një kontratë unë besoj se ai duhet ta respektojë sepse kontratat këtë qëllim kanë, por nëse vjen një ofertë e çmendur që ofron shifrën e vendosur në klauzolë, atëherë do të rimendohem”.

Sipas mediave italiane, De Laurentiis e ka vendosur 100 milionë Euro çmimin e kartonit të argjentinasit dhe në këtë mënyrë, asnë klub nuk do të bënte një investim të tilllë për një lojtar që sezonin e fundit e kaloi në dritëhije. Në vijim, presidenti napoletan u përqëndrua te trajneri i ri, Maurizio Sarri.

“Besoj se trajneri Sarri është njeriu i duhur për të rinisur një cikël të ri për Napolin. Ai është një njeri që impenjohet shumë, e studion futbollin prandaj duhet ta lemë të qetë të bëjë punën e tij”.

Aktualisht, Napoli po punon për të afruar dyshen e Empolit, Valdifiori-Hysaj për të cilët klubi toskan kërkon plot 11 milionë Euro, 3 më shumë se sa oferta e bërë nga De Laurentiis.