De Gea, mes dilemave për të ardhmen

E publikuar: 02/09/2015 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrëmjen e së martës David De Gea iu bashkua Spanjës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet eliminatore të “Euro 2016″ me Sllovakinë dhe Maqedoninë. Ishte herë e parë që portieri i Manchester United u shfaq në publik pas dështimit të transferimit të tij te Reali i Madridit. 24-vjecari u mundua të ruante qetësinë, madje duke nënqeshur, si për të treguar se po e përballon me sportivitet këtë situatë. Tani De Gea do të marrë një vendim për të ardhmen e tij, pasi Manchester United po përgatitet për t’i propozuar rinovimin e kontratës, për të mos e humbur me parametër zero. Javët e fundit Louis Van Gaal e dërgoi në tribunë, i bindur se portieri spanjoll do të tranferohej në Madrid, por me situatën e re holandezi është vënë në një situatë të vështirë pasi një futbollist me cilësitë e De Geas nuk mund të qëndrojë në stol. Verën e ardhshme do të zhvillohet kampionati europian dhe De Gea dëshiron me cdo kusht të jetë protagonist në këtë turne, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse aktivizohet në vazhdimësi. Kjo mund të jetë një nga pikat e forta ku mund të kapet klubi anglez për ta bindur që të rinovojë kontratën. Në të kundërt, De Gea mund të qëndrojë gjithë sezonin në stol i penalizuar për qëndrimin e tij.

Nga ana tjetër, Realit nuk do t’i duhet të presë deri në fund të sezonit për të firmosur me portierin e “La Rojas”. Në bazë të rregullores së FIFA-s, një futbollist mund të firmosë me një klub tjetër gjashtë muaj para përfundimit të kontratës. Pra, që në janar, De Gea mund të bëhet lojtar i Realit të Madridit. Një tjetër mundësi është që shkëmbimi De Gea – Navas të bëhet në janar, por në këtë rast pengesë bëhet aktivizimi i njërit ose i të dyve në Champions League. Në këtë rast nuk mund të aktivizohen në këtë kompeticon me skuadrën e re./ss/