De Biasi: Kjo është e vërteta e Januzajt me Kombëtaren shqiptare

E publikuar: 27/10/2015 18:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gianni De Biasi thotë asnjëherë nuk ka arritur që të kontaktojë me Adnan Januzajn apo babain e tij
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, në një intervistë në emisionin ‘Opinion’, ka bërë të ditur se edhe përkundër tentimit për të kontaktuar me Januzajn, ai asnjëherë nuk ka arritur të bëjë një gjë të tillë.

“Problemi me Januzajn ishte se ne nuk arrinim të flisnim dot personalisht me atë, por çdo gjë duhet më parë ta diskutonim me babain e tij. Me të atin e Januzajt nuk kam arritur të flas asnjëherë”.

“I kam dërguar shumë mesazhe por nuk mu përgjigj asnjëherë. Në fakt ia kam dërguar në disa gjuhë për të kontaktuar. I kam dërguar mesazhe në shqip, në frëngjisht, dhe në anglisht, por në asnjë nga këto gjuhë nuk më është përgjigjur”.

“Unë mendoj se kjo është një gjë vërtet e trishtueshme sepse së paku ai mund të përgjigjej dhe të thoshte që Januzaj nuk do të vijë me ne, por të paktën do të merrnim një përgjigje. Mjaftonte që të më thoshte “Zoti De Biasi ose De Biasi shkurt, djali im nuk do të luaj për Shqipërinë, kaq”, ka theksuar De Biasi në emisionin ‘Opinion’.

Januzaj në fund zgjodhi Belgjikën, por që nuk po arrin të sigurojë vend në kombëtaren belge.