De Biasi “kalorës” i Italisë: Ndaj të kaltërve do të japim maksimumin (Video)

E publikuar: 07/02/2017 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi u vlerësua këtë të martë me titullin e kalorësit të Republikës së Italisë. Në ceremoninë e zhvilluar në rezidencën e Ambasadës italiane në Tiranë, De Biasi u vlerësua me “Urdhërin e Ylli të Italisë”, që akordohet nga presidenti i Republikës së këtij vendi dhe ju dorëzua nga ambasadori, Alberto Cutillo për kontributin e dhënë nga trajneri italian në bashkimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrdhënieve mes dy vendeve. Vetë trajneri De Biasi e cilësoi këtë urdhër si një nderim të jashtëzakonshëm për punën e tij në Shqipëri, ndërsa një fjalim përshëndetës mbajti dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, që e cilësoi si një vlerësim dhe për një shtesas shqiptar ndërsa nuk i kurseu dhe batutat.

“Unë thjesht mund të them faleminderit, sepse De Biasi është dhe një shtetas shqiptar përvecese një shtetas italian dhe ky është një nder i madh për ne. Në momentin që Conte u largua nga stoli i Italisë, pata frikë se De Biasi do të ulej në stolin e të kaltërve, por për fat Italia bëri tjetër zgjedhje dhe të paktën për një herë mund të themi se kemi në stol një trajner më të mirë se ai i Italisë”.

Duke qenë një cmim i akorduar nga vendi i tij Italia, sigurisht që De Biasi nuk mund t’i shmangte dot pyetjet në lidhje me sfidën e marsit ndaj të kaltërve në Palermo, rëndësisë që ajo paraqet për të si italian por dhe dëshirën për të bërë dicka të mirë me Shqipërinë:

“Unë uroj shumë që Italia të bëjë mirë në këto eliminatore si italian që jam, megjithatë shpresoj më shumë që të gabojë vetëm në dy ndeshjet që do të ketë me ne, në muajin mars dhe më pas në ndeshjen e kthimit. A do t’i këndoj të dyja himnet? Atë italian e kam më të thjeshtë, pasi i di fjalët ndërsa për atë shqiptar kam nevojë për pak karaoke”.

Gjithsesi përtej batutave, De Biasi konfirmoi se grumbullimi para ndeshjes me Italinë do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa fakti që disa futbollistë të kombëtares luajnë me klube italiane është një plus më shumë për ne.

“Lojtarët shqiptarë që luajnë në Itali kanë një motivim më shumë për këtë sfidë. Do të kemi përballë një skuadër të jashtëzakonshme, që kërkon të kualifikohet në Botëror. Ne do të kemi vetëm 4 ditë për ta përgatitur këtë ndeshje, është një kohë e shkurtër por do të bëjmë maksimumin. A do të isha i kënaqur me një barazim? Unë do të isha i kënaqur nëse luajmë mirë, bëjmë një paraqitje pozitive dhe mbi të gjitha dinjitoze, pastaj rezultatin le tia lëmë fushës së lojës”.