Daut Haradinaj: Ndërkombëtarët po heshtin për varrezat masive në Serbi

E publikuar: 20/11/2020 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj i ftuar në emisionin Argument Plus në RTV21 tha se aktakuzat për katër ish-krerët e lartë të UÇK-së nuk janë sfida individuale por janë komplet të UÇK-së.

Ai tha se gjykata nuk thur lavde për kontributin e luftës, por janë aktakuza prej palës ndjekëse.

“Gjykatësit janë me kredibilitet nuk duhet gjykuar. Unë besoj që ata do të kthehen më të fortë se që kanë shkuar. Besoj se do të jetë një epilog i mirë”, u shpreh ai.

Gjithashtu, ai theksoi se ai nuk do të kishte hequr asgjë nga ajo që kanë bërë në luftë.

“Mirëpo tani nuk është koha për t’i gjykuar gjykatësit dhe duhet pas kujdes dhe të mos ketë ndërhyrje politike”, vazhdoi tutje Haradinaj.

Ai tutje foli edhe për avokatët e ish-krerëve të UCK-së.

“Mbrojtjes i duhet kohë, nuk është proces i lehtë dhe do t’i merr goxha kohë, por e mirëseardhur do të jetë mbrojtja në liri. S’ka ndonjë argument qe ua pamundëson atyre këtë gjë. Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së janë të nivelit lartë dhe kanë një përvojë të jashtëzakonshme”, tha shefi i GP-së së AAK-së.

Haradinaj foli edhe për varrezat masive që u gjetën në Serbi.

“Nuk ka reagim prej ndërkombëtarëve për varrezat masive në Serbi. Kjo po e shfaq një përkëdhelje të BE-së ndaj Serbisë”, tha ai.