Daut Dauti shpërthen ndaj “shqiptarëve injorantë”: Rrëfimet e tyre per seks me femrat polake idiote, anglishtja e tyre për gërdi

E publikuar: 06/07/2019 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari kosovar, Daut Dauti, ka shpërthyer në kritika ndaj shqiptarëve, duke thënë se janë të fundit në listë sa i përket shkallës së civilizimit.

Këtë shkrim Dauti e ka shkruar pas një bisede që thotë ta ketë dëgjuar se si disa shqiptarë flasin me përbuzje për polakët, një popull që sipas tij kanë një kulturë të jashtëzakonshme pasi i kanë mbijetuar Rusisë e Gjermanisë, shkruan Gazeta Express.

Përveç kësaj ai thotë se tregimet e tyre për seks me femrat polake si dhe anglishta e tyre është për gërdi.

Shkrimi i plotë:

Për polakët dhe shqiptarët

Nëse e bëjmë një listë të popujve të kulturuar apo civilizuar në Evropë, polakët duhet të jenë diku në krye të saj kurse shqiptarët në fund. Çfarëdo kriteri që merrni për klasifikim, rezutati është i njejtë.

Sa më larg vendlidjes, pamja e atdheut është më e mirë dhe detajet dalin në shesh në mënyrë më prominente. Është gërditëse se si shqiptarët e shfaqin një tendencë të përbuzjes ndaj tjerëve duke mos e dijtur që nën ta nuk ka pupuj tjerë. Shpesh, i turpëruar, i dëgjoj disa idiotë (shqiptarë pra) se si flasin për polakët me një nënçmim të madh. Por, asnjë popull në histori nuk është treguar më stoik dhe më kontribues në kulturë se sa polakët. Të gjendesh në mes gjermanëve dhe rusëve është më shumë keq se sa mirë. Polakët me sukses e kanë përballuar këtë trysni. Polakët kanë qenë të parët që e thyen sistemin komunist dhe krijuan valën e ndryshimeve që i përfshiu vendet tjera socialiste në Evropë. Në këtë kohë edhe papa (polak) ka qenë revolucionar. Kjo ka qenë koha kur te ne shqiptarët në formë ende ishin grupet marksiste-leniniste kurse në Shqipëri komunizmi mbahej mirë dhe askush nuk kishte shpresa se do të rrënohet ky sistem. Kjo flet për distancën kulturore në mes polakëve dhe shqiptarëve.

Përceptimi i polakut në mendjen e shqiptarit është tejet negativ dhe është ndërtuar nga përrallat e përhapura nga injorantët dhe shizofrenët. Ky soj i njerëzve edhe sot ka ndikim në mesin e shqiptarëve kurse në mesin e polakëve, vetëm intelektualët kanë ndikim. Këto përralla për temë e kanë shqiptarin e ‘fortë‘ i cili ka bërë ‘kërdi‘ (seksuale) ndaj bjondeve të bukura polake. Burrat polakë në këto përralla janë qyqana se nuk mujnë as atë punë me jau ba grave t‘veta. Këto përralla e kanë origjinën nga fillimi i viteve të 70-ta. Në këtë kohë shqiptarët që jetonin në Jugosllavi kishin para dhe mundësi ta vizitonin Poloninë, një vend fatkeq që kishte rënë nën bllokun socialist dhe nën diktatin rus. Në pozitë edhe më të mirë kanë qenë ata që punonin në Austri apo Gjermani dhe Poloninë e kishin më afër në aspektin gjeografik dhe në atë financiar. Këta njerëz në Poloni kanë shkuar për ‘turizëm seksual‘. Tregimet e tyre për Poloninë janë gërditëse. Në pah të këtyre tregimeve është potenca seksuale e shqiptarit, e pakrahasur me mashkujt tjerë të botës. E keqja e kësaj pune është se shqiptarët e izoluar edhe sot e kanë në mendje polakun e portretizuar nga këta turistë seksual.

Në verën e vitit 1980, pas një shetie në Hungari dhe Çeko-Sllovaki, kam shkuar në Poloni. Natyrisht që unë kam patur tjetër përceptim për këtë vend. Megjithatë, Polonia për mua krijoi shok kulturor. Në Krakoë u vendosa për të qëndruar disa ditë në një konvikt të studentëve që ishte me siguri më i mirë se hotel Bozhuri në Prishtinë. Sa për krahasim, Universiteti i Krakoëës është themeluar në vitin 1364 kurse unë vija nga një universitet i themeluar në vitin 1970. Në Krakoë, nga viti 1364 deri më 1970 duhet të kenë ndodhur shumë gjëra që kanë munguar në Prishtinë.

Qytetet polake, edhe pse të ngulfatura nga komunizmi, kishin rend njerëzor, kulturor, urbanistik … Muzeumet e tyre ishin të shumta dhe të llojllojshme. Transporti publik (trenat, autobusët, tramvajat) qarkullonin pa asnjë problem. Në Poloni, në këtë kohë nuk ka patur fshat pa rrugë të asfatuar dhe pa u përfshirë në plan urbanistik. Nuk ka patur shtëpi pa televizor, telefon, makinë, pa marrë parasyshë që ato nuk ishin prodhime perëndimore. Njerëzit ishin aq të mirsjellshëm dhe me njohuri të gjëra sa që ishte kënaqësi e madhe të bisedoje me ta.

Tashti, krahasojeni këtë gjendje me Kosovën dhe pjesët tjera të Jugosllavisë ku kanë jetuar shqiptarët dhe mos e përjashtoni as Shqipërinë. Te ne, në këtë kohë afalti në fshat ka qenë diçka i paimagjinueshëm. Të mos flasim për urbanizëm se shumica dërmuese e vendbanimeve nuk kanë patur telefona, ujësjellës, kanalizim… Atëherë ne në nevojtore (ËC) shkonim disa minuta larg prej shpisë. Të mos flasim për gjendjen e toaleteve tona dhe për banjot që nuk i kishim dhe laheshim vetëm gjatë të dielave, kryesisht.

Tashti, ne patjetër duhet ta pyesim veten: si ka mundësi që një njeri nga mesi jonë të ketë paragjykime për polakët?

Me polakët mahnitem edhe në Londër. Çdo mëngjes shoh nëna polake që i çojnë fëmijët në shkollë dhe rrugës me mburrje flasin vetëm gjuhën e tyre. Në shkollë, nxënësit polakë mes veti, poashtu, flasin vetëm polonisht. Polakët mes vete nuk flasin anglisht.

Në anën tjetër i vëren shqiptarët që e bëjnë të kundërtën. Ndjehen të turpëruar për atë që janë. Flasin anglisht për gërdi se nuk e dijnë këtë gjuhë. Por, dëshira e tyre që të mos identifikohen si ata që janë, është e madhe dhe u ka krijuar kompleks të rëndë. Megjithatë, në trup të tyre, në fytyrë dhe në sy u shihet ndryshku i një fshatarësie të prapambetur feudale shqiptare të cilën e vërtetojnë si ta çelin gojën me thanë naj llaf të pakuptimtë. Edhe më keq, nxënësit shqiptarë që flasin shqip pa problem, është i vogël. Por, gjëja e mirë te ta është se nuk e vuajnë nga kompleksi i inferioritetit sikur prindërit e tyre.

Natyrisht, disa gjëra nuk piqen me zor. Kërkojnë kohë dhe mund. Por, polakët për ne shqiptarët duhet të jenë shembull i mirë.