Dasma mbretërore e Princ Leka II dhe Elia Zaharia (Video)

E publikuar: 09/10/2016 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Princ Leka II dhe Elia Zaharia u bënë zyrtarisht burrë dhe grua në ceremoninë zyrtare të 8 tetorit në Pallatin Mbretëror.

Një martesë që zgjati një ditë të tërë dhe që i shndërroi të ftuarit në mbrëmjen e madhe gala, në një paradë të vërtetë. Me kurora, grada dhe tituj fisnikërie, fustane mondane e aksesorë luksi. Ceremonia e pritjes filloi rreth orës 19:00, për të vijuar me darkën martesore deri në orën 23:00.

Edhe njëherë ranë në sy me prezantimin e tyre, Mretëresha Sofia e Spanjës, Arkiduka George dhe Eilika e Austrisë, Princesha Elisabet nga Lihtenshtajni, Dukesha Maria e Rusisë, Princesha dhe Princi Michael të Kentit nga Mbretëria e Bashkuar, Princesha Llalla Meryem e Marokut, etj.

Nga politika shqiptare, pjesëmarrës ishin kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij, Aurela Basha, si dhe ish-kryeministri Sali Berisha, me bashkëshorten e tij Liri Berisha.

Përveç fisnikërisë, të ftuarit e tjerë që treguan stilin e tyre mondan përshtatur darkës martesore ishin edhe përfaqësi diplomatike dhe përfaqësues të medias dhe biznesit.

Familjet fisnike dhe aristokrate sollën me vete edhe vëmendjen që i shoqëron ndërkombëtarisht. Mediat e huaja e raportuan me interes, atë që e quajtën si martesa e dytë mbretërore në Ballkan pas asaj të Mbretit Zog.