Dashuri e shkurtë, por e përjetshme…

E publikuar: 03/05/2015 00:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të dua shumë, edhe pse nuk kam asnjë shpresë te ti, pavarësisht se jetës nuk i dihet… Njeriu, kur dashuron, e krijon një bindje në vetvete se do të jetë tërë jetën bashkë me personin me të cilin takohet. E unë të dashuroj shumë, edhe pse e di shumë mirë që ne kurrë s’do të jemi bashkë, se s’do të jesh kurrë i imi… jo pse nuk mundemi, por pse…

Shumë herë e pyes veten: Si filloi e gjithë kjo?

Me mall e kujtoj momentin kur u takuam, prej momentit të parë që të njoha e ndjeja një lloj simpatie ndaj teje, por kurrë s’kisha menduar se do të ishim më tepër se shokë, e as që prisja diçka nga ti, sepse më dukeshe i paarritshëm!
Fillove të hyje në ëndrrat e mia, në zemrën time, në botën time. U bëre pjesë e jetës sime, fillova të të dashuroj me forcën time shpirtërore. Kurrë s’kam menduar se mund ta dashuroja një mashkull, siç të dua ty… Të shikoj dhe më dukesh gjenial. Thonë se s’ka asgjë të përsosur në këtë botë, por unë nuk mund të shoh ndonjë mangësi te ti, prandaj them se ti je i përsosur apo ndoshta dashuria më bën të të shoh pa ndonjë mangësi te ti…
Secili djalë që më afrohet ose më thotë ndonjë fjalë, më bën të të dua edhe më shumë, sepse te asnjëri nga ta nuk e shoh atë që shoh te ti.
A thua, çfarë mendon ti për mua?
Ah, sikur vetëm një çast të hyja në zemrën tënde dhe të shoh se ç’ndien zemra jote për mua?!
E, sonte, në këtë errësirë që ka mbuluar qytetin sikur më flet diçka dhe më thotë se ti ndien shumë për mua, se ajo çka ndien për mua nuk është dhembje ose mëshirë, por jam e sigurt se ti më do, sepse ndoshta ti s’di të gënjesh…
Nuk e di se sa është e vlefshme nj “Të dua” nga ti?! Unë dua vetëm të jem me ty sa më gjatë që të jetë e mundur, edhe pse e di që kjo është e paarritshme…
Jo, jo, s’kam harruar: e di se herët a vonë unë duhet ta vazhdoj jetën time pa ty! Por, mendon se nuk më vret fakti se ti i takon “asaj”? Çdokush do t’më gjykonte pse unë ushqej një dashuri të tillë, pse unë dashuroj njeriun e “huaj”… Edhe unë, thellë në zemër, e ndjej se s’duhet të jemi bashkë, por unë s’kam faj: të dashuroj çmendurisht, e s’ke faj as ti që më tërheq me çdo pjesë të trupit tënd! Faj kanë ndjenjat e mia që të përkasin vetëm ty dhe askujt tjetër…
Dhe, çdo natë jam kështu, si sonte: mendoj dhe shkruaj për ty, ngase ty s’të kam afër të të shpreh atë që ndjej për ty sa herë kam nevojë.
Sidoqoftë, shumë gjëra nuk i kam të qarta në jetën time, por një gjë e kam shumë të qartë, madje shumë të qartë,ajo çka ndjej për ty quhet dashuriiiiiii!
Thënë shkurt: lidhje e përkohshme, por dashuri e përjetshme… /E./Kosovarja/