“Dardanët” premtojnë ndihmë e spektakël për Kombëtaren e Kosovës

E publikuar: 29/07/2017 12:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi i tifozëve në përkrahje të Kosovës “Dardanët”, premtoi spektakël në ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës në basketboll do t’i luajë në shtëpi, në kuadër të paraeliminatoreve për kampionatin botëror “Kina 2019”. Udhëheqësi i “Dardanëve”, Lulzim Berisha, në konferencën e mbajtur, të premten, në lokalet e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka shprehur besimin se palestra në Prishtinë të mërkurën, më 2 gusht, do të jetë e mbushur plot.

Kosova ndeshjen e parë parakualifikuese e zhvillon kundër Maqedonisë, shkruan sot Koha Ditore.

“Ftoj të gjithë adhuruesit e sportit në përgjithësi që të mërkurën në orën 20:15 të jenë në numër sa më të madh të pranishëm në palestër. Ne si tifozë, do të organizohemi dhe mobilizohemi maksimalisht për të përkrahur Përfaqësuesen tonë. Ne kemi besim të madh te djelmoshat tanë dhe jemi të bindur se së pari do të mposhtim Maqedoninë, dhe më pas edhe do të kualifikohemi tutje. Besoj se e mërkura do të jetë ditë feste në Kosovë, sepse djemtë tanë e meritojnë mbështetjen e të gjithëve”, ka thënë Berisha.

Kosova edhe ndeshjen e fundit të Grupit C do ta luajë në shtëpi më 19 gusht kundër Estonisë. Me Estoninë do të përballet edhe më 9 gusht në Talin, kurse me Maqedoninë do të luajë edhe më 12 gusht në Shkup. Kosova po kërkon një prej dy pozitave të para në grup për të siguruar kualifikimin për fazën tjetër. Tifozët mund të ndihmojnë në këtë. Federata i ka quajtur ata “lojtari i gjashtë”.