Dardan Berisha po kthehet në klubin ku e nisi

E publikuar: 03/01/2020 14:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dardan Berisha i ka dhënë fund eksperiencës disavjeçare me Prishtinën për t’u rikthyer përfundimisht tek klubi i basketbollit Peja, shkruan Gazeta Express.

Basketbollisti më i mirë i Kosovës në vitet e fundit ka njoftuar përmes rrjetit social “Facebook” se po rikthehet në klubin e vendlindjes, ndërkohë që e ka falënderuar Prishtinën për bashkëpunimin.

“Dali” e kishte një eksperiencë të suksesshme me Bardhekaltrit, me të cilët fitoi gjithçka në basketbollin kosovar, por u tregua i suksesshëm edhe në garat evropiane.

Ndërkohë, ai luajti edhe në Poloni e Itali para se të rikthehet në “Karagaç”.

“Te dashur fansa dhe adhurues të basketbollit Kosovar, Nga sot, une do të jem lojtar në Klubin e vendlindjes sime, KB Peja. Ju falenderoj nga zemra për mirëpritjen dhe dashurinë që më keni dhuruar! Prishtinë, falemnderit për përkrahjen e vazhdushme. Falenderoj Klubin e Prishtinës dhe tifozve të saj Plisat për këto vite gjatë të cilave shënuam histori në gara Evropiane! Suksese të gjithë Klubeve të basketbollit në Kosovë. Qofshim shembulli më i mirë për të gjithë vendet në Rajon. Fansa, ju falemnderit që gjithmonë jeni lojtari ynë i 6të! Dardani i Dardaneve ! DB11”, ka shkruar Berisha.

Ai pritet të debutojë me klubin e ri më 8 janar në një miqësore me Rozhajën.

Me Berishën dhe përforcimet tjera, Peja pritet ta thotë fjalën kryesore në pjesën e dytë të sezonit.