Dani Alves përgënjeshtron: Nuk kam nënshkruar me PSG

E publikuar: 12/03/2015 19:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Braziliani duket i lodhur nga kjo situatë dhe shton se e dashuron Barcelonën për atë që ka përjetuar dhe për momentet që do të kalojë

Pas zërave mediatikë për një marrëveshje të mundshme mes mbrojtësit brazilian, Dani Alves dhe Paris Saint Germain, vjen reagimi i lojtarit që mohin gjithçka. Në një postim të bërë në Instagram, lojtari i Barcelonës u bën thirrje tifozëve të mos besojnë asgjë nga ato që thuhen në shtyp, duke theksuar madje se edhe në të shkuarën ka ndodhur disa herë një situatë e tillë ku gazetat e kanë drejtuar te skuadra si Chelsea, Real Madrid.

Braziliani duket i lodhur nga kjo situatë dhe shton se e dashuron Barcelonën për atë që ka përjetuar dhe për momentet që do të kalojë te kjo skuadër. “Nëse një ditë do të largohem këtë do ta them vetë dhe nuk do të lejoj të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë”, nënvizon mbrojtësi i skuadrës katalanase, kontrata e të cilit skadon në muajin qershor. Në fund të sezonit, nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovimin, atëherë Dani Alves mund të largohet me parametra zero te skuadra që dëshiron. Aktualisht, çështjen e tij e mbajnë pezull zgjedhjet presidenciale në klubin katalanas edhe pse mundësitë që ai të vazhdojë karrierën në “Camp Nou” duken minimale.