Dallavere, parregullsi e punësime të paligjshme, sa i zbatuan komunat rekomandimet e Auditorit?

E publikuar: 02/01/2019 13:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sa i përfillen komunat të gjeturat e auditorit?

Parregullsi në kontrata e prona, dallavere, punësime të paligjshme, keqmenaxhim i  financave publike e  shkelje në dhënien e tenderëve kishte evidentuar Zyra e Kombëtare e Auditimit në komunat e Kosovës  për vitin 2017.

Të gjeturat, së bashku me rekomandimet ishin publikuar në vitin 2018, teksa komunat ishin udhëzuar për veprimet e tyre në drejtim të përmirësimit të performancës.

Megjithë këto të gjetura, komunat e Kosovës nuk është se i përfillën edhe aq shumë rekomandimet e dhëna.

Sidoqoftë, të njëjtat po thonë se gjatë vitit 2018, i morën me seriozitet parregullsitë dhe dallaveret e evidentuara nga auditori.

Komuna e Drenasit – Parregullsi të evidentuara në sektorin e shëndetësisë

Zyra Kombëtare e Auditorit, në komunën e udhëhequr nga Ramiz Lladrovci, kishte vërejtur parregullsi të shumta në sektorin e shëndetësisë.

Ndër të tjera, ishin evidentuar dallavere në tenderët për furnizim me pajisje mjekësore.

E gjetura tjetër, sipas raportit të Auditorit për komunën e Drenasit, ishte edhe menaxhimi i dobët i kujdestarive, ndërrimeve të natës së stafit mjekësor, duke nënshkruar një person në emër të mjekëve kujdestar.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga komuna e Drenasit lidhur me angazhimet e saj përgjatë këtij viti lidhur me këto të gjetura.

Në përgjigjen e komunës thuhet se komuna i ka implementuar në tërësi rekomandimet dhe vërejtjet e lartpërmendura.

“Çështja e parë ka pasur të bëjë me nënshkrimin e gjithë stafit mjekësor ne Librin e kujdestarisë, ku qysh nga  Tetori i vitit 2017, i gjithë stafi mjekësor i angazhuar në kujdestari nënshkruhet individualisht , dhe këtë e dëshmon edhe fakti se Auditorët e Zyrës Kombëtare te Auditimit me rastin e hartimit te Raportit final edhe vet kishin deklaruar se ”Ndonëse pas këshillave tona gjatë auditimit, komuna ka filluar te ndërmarr masa  për këtë,  dhe zbatimi i këtij rekomandimi do te shikohet ne auditimin ne vijim”, thuhet në përgjigjen e komunës së Drenasit.

Nga komuna e Drenasit për lajmi.net kanë thënë se janë përkujdesur edhe për të gjeturat tjera të auditorit.

“Çështja e dytë ka të bëjë me disa kontrata me vlera të vogla, të lidhura gjatë vitit 2017 për furnizim me material shpenzues mjekësor i cili ka qenë furnizim emergjent.

Në vitin 2018, komuna ka shpallur një tender me tri loto, ku  kemi tri kontrata të lidhura në një vlerë të përgjithshme prej 31.956.00 €. Sasia e kërkuar në këtë tender është sasi e planifikuar për furnizim gjatë një viti kalendarik.

Menaxher të këtyre kontratave janë caktuar nga një person (me profesion mjek) për secilën kontratë dhe me këtë është siguruar një ndarje e drejtë e detyrave si dhe kriter për kontrolle të mira, ashtu siç është rekomanduar nga Auditorët e Zyrës  Kombëtare”, përfundohet në përgjigjen e komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci.

Po ashtu nga kjo komunë thonë se Auditori nuk ka evidentuar dallavere dhe se të njëjtat janë vërejtje të vogla të cilat janë implementuar.

Parregullsitë dhe Dallaveret në Komunën e Prizrenit

Aktiv gjatë vitit 2018 lidhur me të gjeturat e Auditorit ishin edhe nga Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka.

Në një përgjigje për lajmi.net nga Komuna e Prizrenit, është bërë e ditur se për vitin 2014, 2015, 2016 dhe 2017 kanë qenë gjithsej 80 rekomandime.

Nga ky numër i përgjithshëm, në tërësi janë zbatuar gjithsej 15 rekomandime, apo thënë në përqindje 18.75 %.

Kjo komunë, pjesërisht i ka zbatuar 25 rekomandime, ndërkaq që të pa zbatuara kanë mbetur 40 të tilla.

Auditori për vitin 2017 kishte vërejtur një numër parregullsish në komunën e Prizrenit.

Ndër të tjera, (ZAP) kishte identifikuar parregullsi në projektin për rivitalizimin e sheshit të Lidhjes së Prizrenit, bashkëfinancimi i të cilit është bërë nga komuna dhe UN-Habitat-i.

E në përgjigjen e kësaj komune, thuhet se kjo çështje e parashtruar është rregulluar.

“ZAP kishte identifikuar parregullsi në projektin për rivitalizimin e sheshit të Lidhjes së Prizrenit, bashkëfinancimi i të cilit është bërë nga Komuna dhe UN Habitat-i dhe ka përgatitur një raport të publikuar në vitin 2015, si pjesë e programit për mbështetjen e zhvillimit hapësinor Komunal. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm është kontraktuar që të kryejë auditimin e raportit final financiar si dhe ekzaminimin fizik nëse punët janë kryer sipas marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e komunës së Prizrenit.

Nga kjo komunë po thonë se kryetari lidhur me rekomandimet e auditorit, në bashkëveprim me përgjegjësit e drejtorive dhe zyrave të caktuara dhe të përkrahura nga njësia e auditimit të brendshëm, ka përgatitur planin e veprimit për implementimin e rekomandimeve, ku janë caktuar afatet kohore dhe përgjegjësitë për implementimin e rekomandimeve.

Sipas vlerësimit të kësaj komune, janë ndërmarrë disa veprime për implementimin e rekomandimeve për vitin 2017.

“NjAB së bashku me këshilltarët e auditimit të brendshëm nga USAID gjatë muajit tetor 2018 kanë bërë një monitorim të ecurisë së implementimit të rekomandimeve sipas afateve në planin e rekomandimeve, ku sipas vlerësimit në këtë raport del se komuna ka marrë disa veprime për implementimin e rekomandimeve për vitin 2017”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit për lajmi.net.

Në pasqyrim kjo komunë ka pasur performancë të mirë në zbatimin e rekomandimeve të auditorit.

Rrjedhimisht, për vitin 2017, janë implementuar pesë rekomandime në tërësi, 11 janë në proces dhe katër të tjera ende nuk kanë filluar të implementohen.

Komuna e Ferizajt – Dallavere në punësime

Zyra Kombëtare e Auditorit në publikimin e të gjeturave për komunën e Ferizajt kishte evidentuar një numër të madh të parregullsive në punësimin në sektorin e arsimit.

Konkretisht më shumë se 40 mësimdhënës ishin punësuar pa asnjë konkurs të hapur, sipas ZKA-së.

Këto probleme i kishte gjetur në këtë komunë kryetari aktual, Agim Aliu nga paraardhësi i tij Muharrem Svarqa.

Aliu, për lajmi.net ka thënë se ka qenë problematike zbatimi i rekomandimeve të auditorit.

Sipas tij, rrjedha e punëve në këtë drejtim, është diktuar nga proceset të cilat janë filluar pikërisht në vitin 2017, në kohën kur Aliu nuk e drejtonte këtë komunë.

“Shumë prej rekomandimeve të cilat i ka bërë auditori për vitin 2017 faktikisht jemi mundu me i zbatu në vitin 2018. Ka qenë problem sepse shumë procese kanë qenë të diktuara nga ajo që është filluar në vitin 2017.  Ne nuk e kemi marrë ende raportin për vitin 2018 mirëpo jemi munduar që të përmirësojmë përformancën tonë dhe që të kemi sa më pak vërejtje për vitin 2018”, ka thënë Aliu për lajmi.net.

Në katër vite, Komuna e Ferizajt ka marrë 84 rekomandime nga Zyra Kombëtare e Auditimit: 17 rekomandime në vitin 2014, 21 rekomandime në vitin 2015, 29 rekomandime në vitin 2016 dhe 17 rekomandime në vitin 2017.

Prej 17 rekomandimeve të vitit 2014, vetëm një prej tyre është adresuar gjatë vitit 2015, 8 nuk janë adresuar dhe tetë kanë qenë në proces të adresimit.

Kurse, gjashtë rekomandime të vitit 2015 janë adresuar nga Komuna e Ferizajt në vitin 2016, 6 prej tyre kanë qenë në proces në kohën kur është finalizuar raporti i auditimit, si dhe 8 prej tyre kanë mbetur të pa adresuara.

Prej 29 rekomandimeve të vitit 2016, në vitin 2017 kanë mbetur të pa adresuara 24 prej tyre, ndërsa vetëm pesë janë adresuar nga Komuna e Ferizajt.

Vlerësimi i Zyrës së Auditorit për performancën e Komunave

Komunat po e vlerësojnë punën e tyre gjatë vitit 2018 pavarësisht nga të gjeturat e Auditorit,  e nga këta të fundit po thonë se janë pikërisht këto institucione të cilat kanë pasur neglizhencë në zbatimin e rekomandimeve të dhëna.

Në një përgjigje nga ZKA për lajmi.net, është thënë se komunat kanë pasur nivel më të ulët të zbatimit të të gjeturave.

“Sipas evidencës nga vitet paraprake, institucionet komunale kanë një nivel më të ulet të zbatimit të rekomandimeve”,  thuhet nga ZKA-ja.

Megjithatë, nga kjo zyrë thonë se auditimi është në proces e sipër dhe disa nga rekomandimet kërkojnë një periudhë më të gjatë për zbatim.

“Meqë auditimi është në proces, në këtë fazë nuk jemi në gjendje të konstatojmë me saktësi se sa janë përmbushur rekomandimet, edhe për faktin që një pjesë e këtyre rekomandimeve kërkojnë një periudhe më të gjatë për zbatim dhe si të tilla janë planifikuar të zbatohen në vitin 2019”, përfundohet në përgjigjen e ZKA-së për lajmi.net.

Theksojmë, se raportet për vitin që lamë pas, do të publikohen në muajt maj e qershor të vitit 2019. /Endrit Dragaj  /Lajmi.net/