Daçiq thotë se s’ka dialog pa heqjen e taksës

E publikuar: 07/02/2019 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se vendimi i Prishtinës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe është politik.
Ai në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se vendosja e kësaj takse është e “palogjikshme, ndërkohë që Serbia është përmbajtur nga aktet e njëanshme për shkak të mos themelimit të asociacionit serb dhe vendimit të Kosovës rreth statutit të Trepçës”.

“Vendimi për taksën është i motivuar politikisht dhe ka penguar vazhdimin e dialogut. Serbia beson se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”, ka thënë Daçiq.

Duke folur për rishqyrtimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, shefi i diplomacisë serbe tha se stafi i këtij misioni së fundi është reduktuar së bashku me buxhetin e tij, duke kërkuar nga vendet e OKB-së që të mos nguten me rishqyrtimin e vendimit rreth këtij misioni në Kosovë.

Ai ndërkaq ka rikujtuar se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka akuzuar UNMIK-un se po shkruan raporte të shpikura, duke akuzuar edhe BE-në se ka ngulfatur dhe mbytur procesin e dialogut.

Daçiq përsëriti se Serbia është për vazhdimin e dialogut, por sipas tij kjo do të ndodhë vetëm kur Prishtina të heqë taksën. “Është koha për një paqe të qëndrueshme mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha ai.

Ai ka thënë se i mbështesin akuzat e Gjykatës Speciale dhe presin që akuzat të behën zyrtare sa më shpejtë.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia ka paguar 750 milionë dollarë dhe do të paguajë edhe mbi 200 milionë dollarë në emër të borxhit që kishin marrë për Trepçën.

“Ne jemi të përkushtuar në dialog, por ne këtë do ta bëjmë pas vendimit që do të marrë Prishtina për heqjen e taksës. Ne i përshëndesim të gjitha shtet që kanë kërkuar heqjen e taksës, por ne kërkojmë që të bëhet më tej presion për heqjen e taksës. Ne nuk do të vazhdojmë dialogun pa hequr taksën. Ne jemi të vendosur që çështja të zgjidhet përmes dialogut, duke e ndjekur kursin e paqes dhe kërkojmë që edhe pala tjetër të përmbahet nga provokimet”.