Daçiq thotë se Pacolli e kërcënoi me vrasje, ky është reagimi i MPJ-së

E publikuar: 04/02/2019 13:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se homologu i tij kosovar, Behgjet Pacolli e ka kërcënuar me vrasje në Bukuresht.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se gjatë takimit jo formal në Bukuresht të Rumanisë, homologu i tij kosovar, Behgjet Pacolli e ka kërcënuar me vrasje.

Mirëpo në lidhje me këtë ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Këshilltari politik i Behgjet Pacollit, Fatmir Haxholli, ka thënë për lajmi.net, se është Serbia ajo që vrau politikanët e vet.

“Janë serbët e përfaqësuar nga mentaliteti i Ivica Daçiq, ata që vranë kryeministrin e tyre, Zoran Gjingjiq, kjo veçmas për faktin se në mungesë guximi për t’u përballur me të vërtetën historike, pavarësinë e Republikës së Kosovës, politikanët qyqarë sikurse Daçiq, nuk mund të shohin dalje nga situata, veçse përmes vrasjeve”, deklaroi Haxholli për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë po ashtu se Serbia po ashtu ka gisht edhe në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Mos harroni, që janë pak media hulumtuese në Serbi, ato që tashmë kanë drejtuar gishtin te Beogradi zyrtar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Çfarë t’i thuhet kësaj figure të veshur me petkun diplomatik, përpos se e kaluara e vendit të tij, është përplot krime ndaj të tjerëve, si dhe vrasje e vetëvrasje në mesin e tyre. Daçiq le t’i qetësojë turnat radikale në Serbi, nëse mund t’i mbajë ende nën kontroll, sepse duke mos pasur se kë të sulmojnë, ato lehtë mund të kthehen edhe kundër politikanëve qyqarë e gënjeshtarë. Daçiqit si bashkëpunëtor i Millosheviqit, me siguri i kujtohet edhe vrasja e Ivan Stamboliq”, ka thënë Haxholli.