Daçiq sjell lajme të mira për Serbinë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së

E publikuar: 08/02/2019 08:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ivica Daçiq ndihet i lumtur me rrjedhën e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq ndihet i lumtur me rrjedhën e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, të mbajtur në Nju Jork të enjten.

Daçiq ka thënë për “Tanjug” se në vazhdim të këtij viti do të zhvillohen edhe tri seanca tjera për Kosovën, përfshirë dy të tjera në vitin 2020, transmeton lajmi.net.

Daçiq po ashtu ka thënë se gëzohet që thirrjet për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe në Kosovë nuk erdhën vetëm nga Rusia, Kina, Indonezia, Guinea Ekuatoriale dhe Republika e Afrikës së Jugut, por edhe nga anëtaret e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Belgjikës, Polonisë dhe Bregut të Fildishtë.

“Mendoj se është plotësisht e arsyetuar kërkesa jonë për zhvillimin e seancës dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që kemi gjetur pajtimin e të gjitha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mos të hidhen pyetje në lidhje me dinamikën e zhvillimit të seancave. Nuk ka vendosur Serbia që të takohemi çdo tre muaj, por sekretari i përgjithshëm që raporton çdo tre muaj”, tha ai.

Daçiq ka theksuar se për Serbinë është e rëndësishme që tema e Kosovës të vazhdojë të jetë në rend të ditës. “Në dy vitet e ardhshme do t’i kemi plot pesë seanca, tri gjatë këtij viti dhe dy në tjetrin”, u shpreh ai.