Daçiq: Shqetësuese influenca shqiptare në rajon

E publikuar: 11/07/2017 11:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, në një takim me homologun e tij grek Nikos Kotzias në Athinë ka deklaruar midis të tjerash se është i shqetësuar përsa i përket çështjes së influencës së faktorit shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ne thjesht duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Por është më se e qartë që ekziston një politikë e intensifikuar për të krijuar një shtet të bashkuar të shqiptarëve. Ata duan platformën e Prizrenit, pikërisht për të krijuar një shtet të bashkuar shqiptar dhe kjo me të vërtetë është një kërcënim i madh për stabilitetin e rajonit, por edhe më gjerë në Europë”, ka thënë ai.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Daçiç ka thënë se zgjedhjet në Kosovë nuk do të sjellin stabilitet sepse sipas tij, kushdo që të jetë kryeministër nuk do të jetë më i mirë se parardhësit përsa i përket interesave të serbëve që jetojnë atje.

Ai ka falenderuar gjithashtu Greqinë që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe për investimet ekonomike në Serbi që arrijnë shifrën prej 2 mld euro.

Daçiç ka kërkuar të falur për herë të dytë përsa i përket gabimit të Beogradit që ka njohur 20 vjet më parë Shkupin me emrin e “Republika e Maqedonisë”, ndërkohë që ka kritikuar udhëheqjen e Shkupit e cila jo vetëm njohu Kosovën, por edhe mbështeti kandidaturën e saj në UNESCO.

Dy homologët që përgatitën takimin e nivelit të lartë në Selanik, ditën e enjte midis presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit Tsipras kanë premtuar një marrëdhënie edhe më të fortë midis dy vendeve që festojne sivjet 150-vjetorin e aleancës së tyre historike, siç ka theksuar edhe kreu i diplomacisë greke Nikos Koztias, që ka ripërsëritur se Athina mbështet fuqishëm integrimin e Beogradit në BE./Top Channel/