Daçiq reagon pas vendimit për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve serbë

E publikuar: 04/07/2019 13:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për t’ua ndaluar hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve të Serbisë.

Sipas tij ky është një vendim i cili synon të bëjë një shkëputje të plotë ndërmjet serbëve që jetojnë në Kosovë dhe shtetit të Serbisë, dhe e sheh si një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Sipas Daçiqit një vendim i tillë nuk është i rastësishëm, pasi që vjen vetëm dy ditë pasi Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar një marrëveshje për të pasur një politikë të jashtme të përbashkët.

“E gjithë kjo është bërë vetëm dy ditë pas nënshkrimit të një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me të cilën të dy palët do të kenë një politikë të jashtme të përbashkët. Kjo marrëveshje është një themel për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, që po ndërtohet pa problem në zemrën e Evropës”, ka thënë Daçiq për Novosti, transmeton Express.

Daçiq thotë se shqiptarët nuk po shqetësohen fare që ‘serbët në veri kanë mbetur pa barna dhe pa bukë’.

“Ky ndalim, ka për qëllim që t’i mbajë ata (serbët) edhe më të izoluar nga çdo ndikim i Beogradit”, ka thënë ndër të tjera Daçiq.

Vendimin për t’ua ndaluar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë e ka marrë sot Ministria e Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuat një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka njoftuar sot këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, përmes llogarisë së tij zyrtare në facebook.