Daçiq: Para demarkacionit, duhet të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi

E publikuar: 20/08/2018 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se demarkacioni i kufirit me Serbinë i cili po diskutohet në Prishtinë nuk mund të bëhet në baza të njëanshme.
Sipas tij, para demarkacionit duhet të arrihet një marrëveshje.

“Nuk ka dilemë që ne duam të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Dialogu do të vazhdojë në shtator”, ka thënë Daçiq, transmeton lajmi.net.

Daçiq ka theksuar se ka një linjë administrative e cila ka qenë nën KFOR-in pothuajse për 20 vjet.

“Në qoftë se zyrtarët e Kosovës mendojnë të marrin Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, ata nuk e kuptojnë situatën në të cilën janë vendosur. Nuk është gjithçka e kryer, ato janë fjalë boshe”, është shprehur ministri serb.

Ai ka shtuar se Serbia dëshiron një zgjidhje e cila nuk qon në dëm të saj. Ndërsa sa i përket një referendumi të mundshëm për Kosovën, Daçiq ka thënë ‘jeni vonë’.

“Jemi në fund të kapitujve të bisedimeve dhe dua kërkuar një zgjidhje kreative, ashtu siç ka thënë edhe administrata amerikane”.

Një ditë më para anëtarë të Komisionit të Qeverisë së Kosovës për shënjimin e kufirit, kanë deklaruar se janë duke mbledhur dokumentacion dhe kanë nisur përgatitjet për demarkacionin me Serbinë.