Daçiq: Do të refuzohet kërkesa e Kosovës për pranim në UNESCO

E publikuar: 01/08/2015 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot në Beograd se beson se Kombet e Bashkuara do ta refuzojnë kërkesën e Kosovës për pranim në UNESCO.

“Kjo përpjekje e Prishtinës, që nëpërmjet OKB-së të arrijë në UNESCO ka dështuar”, tha Daçiq, pasi sipas tij, “kjo do të ishte shkelje e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e vendimeve të Këshillit të Sigurimit”.

Megjithatë, Ivica Daçiq, sot në një konferencë për gazetarë në Ministrinë e jashtme të Serbisë, tha se në këshillin e UNESCO-s, shumicën e vendeve anëtare e përbëjnë shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe se “do të jenë interesante pozicionet e disa shteteve, që të shihet se a ka standarde të dyfishta dhe sa ato janë të pranishme”.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, më herët i pat thënë Radios Evropa e Lirë se “është një betejë shumë e vështirë dhe Kosova nuk e ka lehtë, por me të gjithë partnerët tanë, me shumë shtete të tjera, ne do ta vazhdojmë fazën e dytë e më pas edhe të tretë të lobimit, që t’i sigurojmë votat”.