Daçiq: Dështimi i Kosovës në Interpol, falë aktiviteteve të Serbisë

E publikuar: 08/11/2016 11:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se ka dështuar edhe një tentim i Kosovës për t’u pranuar në Interpol.

“Edhe pse Kosova është përgatitur dhe kishte dërguar notë të gjitha shteteve anëtare, Këshilli i Përgjithshëm i Interpolit ka refuzuar të gjitha kërkesat për ta vendos si pikë të rendit të ditës në seancë”, ka thënë Daçiq, shkruan agjencia e lajmeve e Serbisë Tanjug.

Shefi i diplomacisë serbe ka rikujtuar se Kosova edhe në prillin e vitit 2015 ka bërë kërkesë për anëtarësim por deri më sot Interpoli nuk e ka pranuar atë.

 Siç thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Daçiq vlerësoi se në këtë mënyrë vërtetohet edhe një herë se hapat e njëanshëm të Kosovës rreth anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare nuk e kanë mbështetjen që e kishin çka sipas tij është edhe rezultat i aktiviteteve diplomatike të Serbisë, transmeton Periskopi.com

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur se ministri Skënder Hyseni, me ftesë të drejtorit ekzekutiv të Interpol-it, ka udhëtuar në Indonezi, në krye të një delegacioni, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 85 të Interpol-it, e cila do t’i zhvilloj punime nga sot deri më 10 nëntor.

Sipas njoftimit të MPB-së, në këtë asamble mes tjerash pritet të diskutohet edhe për kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese në këtë organizatë.

“Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim dhe varësisht nga rrjedha e diskutimeve për kriteret e anëtarësimit do të procedohet edhe me shqyrtimin e aplikacionit të Republikës së Kosovës për anëtarësim”, thuhet në njoftim.