Çurçiç: Respekt për Shqipërinë, nuk është këtu aksidentalisht

E publikuar: 05/10/2015 22:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Serbisë përzgjedh “shqiptarin” Sulejmani për ndeshjen e 8 tetorit. Trajneri i kombëtares serbe të futbollit, Radovan Çurçiç, ka dalë “kundër rrymës” në vendlindjen e tij, duke e cilësuar si të merituar pozicionin e Shqipërisë në Grupin I të kualifikueseve të Euro 2016. Pak ditë para sfidës mes dy kombëtareve në “Elbasan Arena”, ndërsa mediat serbe ushqejnë idenë e “luftës për jetë a vdekje” në këtë duel, Çurçiç nuk ka ngurruar që të flasë pozitivisht për ekipin shqiptar, pozicionin e të cilit në grup e sheh si të merituar dhe aspak rastësor.

“Ndeshja në Shqipëri do të jetë ndoshta transferta më e vështirë, ndërsa Portugalia ka treguar se është skuadra më e fortë e grupit. Jemi shumë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e të dyja ndeshjeve dhe kemi dëshirë të madhe që t’i mbyllim këto kualifikuese me rezultate të mira. Absolutisht që respektoj cilësinë e Shqipërisë. Ata nuk janë këtu aksidentalisht, janë rritur në një skuadër shumë serioze. Për ta ka shumë gjëra në lojë, pasi një fitore i çon për herë të parë në një turne madhor”, ishte përshkrimi që trajneri 43-vjeçar i bëri përfaqësueses kuqezi gjatë konferencës së djeshme për shtyp, gjatë të cilës publikoi listën e futbollistëve të ftuar për dy sfidat e radhës.

Një reagim i tillë i çuditi shumë përfaqësuesit e mediave vendase, të cilat pritnin deklaratat e zakonshme nacionaliste që kanë dalë në vazhdimësi nga zyrat e Federatës Serbe gjatë kohëve të fundit. Çurçiç bëri më se të qartë se ai preferonte të merrej vetëm me aspektin futbollistik të ndeshjes, me bindjen e plotë se asgjë jonormale nuk do të ndodhte gjatë vizitës në Shqipëri. “Jam i bindur se organizimi do të jetë në lartësinë e duhur. Ne do të mundohemi të izolojmë lojtarët nga gjërat që nuk i përkasin futbollit. Detyra ime në fakt është të distancohem nga të gjitha këto gjëra. Nëse ne shpenzojmë energji në gjëra të parëndësishme, kjo do të reflektohet në lojën tonë”, ishte mesazhi i qartë i tij, duke paralajmëruar se nacionalizmi i tepërt mund ta rrezikonte rëndë ekipin. “Sigurisht që është një detyrë shumë e vështirë për ne dhe për lojtarët. Mendoj se nuk është e rëndësishme që t’i japim shumë vëmendje gjërave të tilla. Nëse merremi shumë me këto çështje, mund të mbërrijmë në ekstremin tjetër. Për ne është e rëndësishme të tregojmë se jemi në gjendje të paraqitemi mirë në këtë sfidë”, shtoi ai.

Deklarata të tilla të sinqerta të Çurçiç kanë çuditur gazetarët serbë, të cilët kanë vënë në diskutim vazhdimësinë e trajnerit të emëruar pas largimit të Dik Advokat. “Unë nuk do të jem përjetësisht trajner i kombëtares, çështja që diskutohet është thjesht kur do të largohem dhe kështu ka qenë edhe me paraardhësit e mi. Çdo ndeshje është e rëndësishme, unë nuk frikësohem se nga këto dy ndeshje mund të vendoset fati im. Mendoj se në këtë shtet nuk ka asnjë njeri që do më shumë se unë që të fitojmë ndaj Shqipërisë”, ishte përgjigjja e tij para gazetarëve.

Dëmtimet e njëpasnjëshme të lojtarëve kanë detyruar Çurçiç të bëjë ndryshime të mëdha në listën e të grumbulluarve, pasi janë lënë jashtë emra si Nastasiç, Maksimoviç, Kostiç dhe Markoviç, ndërsa në dyshim është edhe Matiç. Ajo që binte në sy mes të përzgjedhurve ishte prania në listë e Miralem Sulejmanit, mesfushorit 26-vjeçar me origjinë nga Kosova, i cili nuk grumbullohej me kombëtaren që prej marsit të vitit të kaluar.
Ermal Kuka