Crnadak: Hoxhaj të mos brengoset për Bosnjën por të merret me zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit

E publikuar: 02/12/2018 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, ka deklaruar se Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk duhet të brengoset për Republikën Serbe e Bosnjën, por, siç ka thënë ai, Prishtina duhet t’i kushtojë vëmendje përmbushjes së obligimeve nga marrëveshjet e Brukselit dhe gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët me Beogradin.

“Hoxhaj nuk duhet të brengoset për RS-në apo BeH-në, të mos na lidh me Kosovën, sepse ne e kemi marrëveshjen e Dejtonit, institucionet tona dhe asnjë gjë nuk e kemi bërë që është kundër dikujt në rajon”, ka thënë Crnadak për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Ai ka vlerësuar se deklarata e Hoxhajt dëshmon se “strategjia e re e Prishtinës është që të shkojë në radikalizëm total në rajon”, dhe se në këtë trazirë politike dhe të sigurisë, siç theksoi ai, po përpiqet të arrijë qëllimet e veta.

“Derisa të gjithë në rajon merren me bashkëpunimin dhe ndërtimin e besimit reciprok, Prishtina fut taksë të çmendur prej 100 për qind, krijon pakte armiqësore dhe shkakton çrregullime në rajon”, shtoi shefi i diplomacisë së BeH-së, transmeton Koha.net.

Ai thotë se “nuk e di se çfarë duhet të ndodhë tjetër që Brukseli të veprojë me vendosmëri dhe të mbrojë vlerat demokratike dhe të ardhmen evropiane të Ballkanit nga gjëra të këtilla”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një deklaratë për të përditshmen kroate “Vecernji List”, tha se presidenti serb Vuçiq “nuk ka hequr dorë nga bashkimi i Republikës Serbe me Serbinë”.

TË FUNDIT