Coronavirusi ‘prek’ ATK-në, 13.6 milionë euro më pak të hyra sesa plani

E publikuar: 18/04/2020 14:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vitin 2020, Administrata Tatimore e Kosovës, e kishte nisur me “këmbë të hairit”.

Nga 1 janari deri me 17 mars të këtij viti, ky institucion tatim mbledhës, kishte të hyra më të larta për 11.2%, krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan “Front Online”.

Por, ky trend u prish në 15 ditëshin e dytë të marsit, ku shfaqja e pandemisë së Coronavirusit i shkaktoi rënie në të hyra ATK-së, për 13.6 milionë euro më pak sesa që pritej.

Konfirmimin për diçka të tillë e bëri në një intervistë për Front Online, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

“Deri më datën 18 mars deri kur është marrë vendimi për zgjatje të pagesës së tatimit, kemi pasur një trend të shkëlqyer. Pra deri atë dite, nga 1 janari deri me 17 mars, kemi arritur të kemi të hyra më të larta sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar për 11.2%. Derisa në përputhje me planin kemi qenë mbi 3.62%. Derisa nga ajo ditë kemi filluar të kemi rënie të vazhdueshme të të hyrave. 13.6 milionë euro të hyra më pak sesa që ka qenë të pritshme për t`u paguar në muajin mars të vitit 2020”, deklaroi ai për “Front Online”.

Murtezaj e pranon se si rezultat i ndikimit negativ që ka pasur pandemia do ta kenë të vështirë ta arrijnë planin e këtij viti.

Megjithatë ai, premton se do të bëjnë të pamundurën që humbjet të jenë sa më të vogla.

“Çështja e pandemisë do ta afektojë edhe pjesën e pandemisë, jo vetëm të ATK-së, por edhe të hyrave tjera. Domosdo do të këtë reduktim apo zvogëlim të të hyrave për shkak të pandemisë sepse ende nuk po e dimë se kur do të përfundojë kjo situatë. Mirëpo me një trend të tille, objektivi do të jetë i vështirë për t`u arritur, do të luftojmë maksimalisht që humbjet ose mosrealizim i të hyrave do tw jetw nw nivelin më të ulet. Duhet të potencojmë se përveç rënies të hyrave në buxhet, do të këtë pasoja edhe në ekonominë e shtetit, sepse tash bizneset veç kanë nisur t`i ndiejnë pasojat”, u shpreh ai./Front Online/