Copa America: Kili kampion pas penaltive (Video)

E publikuar: 05/07/2015 01:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kili është kampioni më i ri i Amerikës, pasi ka mposhtur Argjentinën në finalen e Copa America, 4-1 në penalti.

Sfida u vendos nga penaltitë, pasi ndeshja e rregullt dhe vazhdimet pavarësisht rasteve të shumta përfunduan pa asnjë gol të shënuar.

Ishin nikoqirët e garës ata që krijuan raste shënimi në fillim të ndeshjes, me Alexis Sanchez që ishte protagonist, por me Charlez Aranguniz dhe Arturo Vidal që nuk ishin të saktë në tentimet e tyre.

Lionel Messi më pas pati një rast të mirë shënimi nga goditja e lirë, por bashkëlojtari i tij te Barcelona, Claudio Bravo, ishte në vend për ta ndaluar atë.

Argjentina ishte më kërkuese në pjesën e parë, me Kilin që më rrallë bënte presion, por që megjithatë krijonte raste të shpeshta shënimi duke e bërë ndeshjen argëtuese për publikun vendas.

Një rast të mirë pati edhe Sanchez pak para fundit të pjesës së parë, pas një asistimi të Vidal, por nuk prodhoi asgjë.

Pas rastit të humbur të sulmuesit të Arsenalit, ishte Ezequiel Lavezzi që pati mundësinë të hakmerret në anën tjetër pas një asistimi nga Javier Pastore, por ylli i PSG e dërgoi topin drejt në portierin kundërshtar.

Lavezzi dërgon topin drejt në duart e portierit Bravo (Video)

Kili e filloi me intensitet edhe pjesën e dytë, duke krijuar një rast shënimi përmes Vidal, por Romero sërish ndërhyri për ta mbrojtur. Më vonë gjatë ndeshjes edhe Sanchez ishte afër për të shënuar për Kilin, por sërish nuk ishte i saktë në goditjen e tij.

Goditja e Sanchez përfundon jashtë porte (Video)

Shansin më të mirë në ndeshje e pati Gonzalo Higuain, i cili në minutat shtesë të kohës së rregullt lëshoi një rast shënimi nga shumë afër golit. Një pasim i Messit gjeti Lavezzin në të majtë, i cili dërgoi topin në shtyllën e dytë, por Higuain ishte disa të qindta i vonshëm, për ta dërguar topin jashtë porte.

Çfarë rasti i humbur nga Higuain (Video)

Ndeshja u desh të vendosej nga penaltitë, pasi edhe tridhjetë minuta vazhdime nuk prodhuan ndonjë gol.

Gonzalo Higuain nuk ishte i saktë as nga pika e bardhë, së bashku me Ever Banega.Lionel Messi ishte i vetmi që shënoi për Argjentinën me Sanchez që shënoi penaltinë vendimtare, 4-1, për trofeun e parë të Kilit në garën kontinentale.

Higuain humb edhe penaltinë (Video)

Zhgënjimi i Mascheranos (Foto)

Penaltia e fitores e realizuar nga Sanchez (Video)

/telegrafi/