Çmimi i energjisë elektrike është rritur deri në 30 për qind – Parlamenti mund ta rrëzojë

E publikuar: 23/04/2017 13:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë filluar ankesat e konsumatorëve të energjisë elektrike se u është rritur çmimi i energjisë elektrike. Shoqëria civile ka thënë se kjo rritje shkon deri në 30 për qind dhe më së shumti pësojnë kategoritë e ndjeshme të shoqërisë. Zyra e Rregullatorit e ka ndryshuar çmimin në kohën kur me tarifat e vjetra çmimi do të duhej të ishte i lirë. Një deputet paralajmëron rrëzimin e këtij plani tarifor në Parlament nëse vërtetohet se qytetarët po dëmtohen me tarifat e reja. Për këtë çështje s’kanë folur zyrtarët e KEDS’it.
Artjan Gjonbalaj, një konsumator i energjisë elektrike, është ankuar se i ka ardhur 20 për qind më shtrenjtë rryma krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ai ka argumentuar se vitin e kaluar ka harxhuar më shumë rrymë gjatë muajit të katërt të vitit por ka paguar më pak, kurse, sivjet ka harxhuar më pak e ka paguar me shumë.

“Me strukturën e re tarifore çmimi i rrymës qenka rritur 20 për qind. Më pak kilovat të harxhuar 20 pr qind më shumë për pagësë, prill 2016-prill 2017”, është ankuar Gjonbalaj.

Ai ka pyetur se si është e mundur që të ketë kësi ndryshimet të çmimit dhe të mos ketë marrë informacione paraprake.

“Popull i Kosovës a keni qenë i njoftuar që do të ketë rritje të çmimit të rrymës”, ka pyetur ai.

Por, vendimi për shtrenjtimin energjisë elektrike gjatë sezonit të verës është marrë më 31 mars të këtij viti.

Më këtë rast, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vendosur t’i gjobisë konsumatorët e energjisë elektrike kur ka aprovuar mënyrën e re të faturimit. Ua ka rritur çmimin për 20 deri në 30 për qind gjatë sezonit të verës.

Kjo për shkak se tarfiat e reja të aprovuara nga ZRRE e kanë vazhduar faturimin e energjisë sikurse ka ndodhur gjatë gjithë dimrit, pasi versioni i vjetër, kishte paraparë që gjatë verës energjia të jetë më e lirë.

ZRRE ka sqaruar se këtë ndryshim të tarifimit – njëjtësimit të tarifave si në vërë ashtu edhe në dimër – e kanë bërë shkak se tregu është liberalizuar dhe konsumatorët mund të krahasojnë çmimet që do t’ju ofrohen nga furnizuesit e ndryshëm.

Mirëpo, në Kosovë, ende vazhdon të jetë vetëm një kompani që shet rrymën. Ajo është KEDS, kompani e cila ka blerë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Zyrtarët e KEDS nuk kanë pranuar të flasin.

Zëdhënësi Viktor Buzhala s’është përgjigjur thirrjeve të Express dhe as pyetjeve me shkrim drejtuar atij.

Tash, sipas ZRRE’s s’do të ketë tarifë verore e dimërore, por, gjatë ditës gjithmonë do të jetë çmimi i shtrenjtë, ndërsa, natën çmimi do të jetë i lirë. Veç kësaj, çmimi i energjisë nuk do të rritet nëse konsumatori harxhon më shumë energji siç ka qenë me tarifën e vjetër.

“Nga 1 prill deri 30 shtator tarifa gjatë ditës do të jetë tarifë e lartë që aplikohet në mes të orës 08:00h – 23:00h, ndërsa gjatë natës do të jetë tarifa e ulët e aplikueshme prej orës 23:00h – 08:00h. Përderisa nga 1 tetori deri me 31 mars, tarifa e lartë do të jetë prej 07:00h – 22:00h dhe tarifa gjatë natës do të jetë në mes të orës 22:00h – 07:00h”, thuhet në sqarimin e ZRRE’së.

Sipas shoqërisë civile, energjia elektrike u është rritur konsumatorëve në 30 për qind.

“Ne kemi bërë disa kalkulime për tre lloj konsumatorësh. Për ata që shpenzojnë më pak, mesatarisht dhe ata që shpenzojnë shumë dhe kemi dalur me kalkulime se në tërësi gjatë vitit, konsumatorët që kanë shpenzuar prej 400 deri 600 kilovat, do t’u shtrenjtohet rryma për 15 për qind si mesatare vjetore, kurse gjatë verës mbi 30 për qind”, kishte thënë Dren Abazi nga KOSID për REL.

Madje, sipas tij, shtresat e ndjeshme të shoqërisë do të goditen më së shumti me këtë rritje.

“Kurse konsumatorëve më të mëdhenj, të cilët kanë shpenzuar nga 1000 – 2000 kilovat orë energji ata do të pësojnë një ulje e cila do të jetë ekuivalente me këtë rritjen, që do të paguajnë shtresat më të ndjeshme të shoqërisë”, ka thënë Abazi.

Ndërkohë, Rrustem Berisha, deputet i AAK’së dhe anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ka treguar se kur u janë prezantuar çmimet e reja nga ZRRE, ka qenë kundër. Madje, ka treguar se edhe deputetë tjerë kanë kundërshtuar formën e re të çmimeve për shkak se deri tash qytetarët kanë paguar çmimin e rrymës me tarifën e lartë dimërore dhe pastaj do të vazhdojnë edhe gjatë verës të njëjtën tarifë, pra të lartën.

“ZRRE ka prezantuar raportin dhe sipas tyre del se qytetarët do ta kenë çmimin më të lartë tash por gjatë dimrit do të kenë çmimin më të lirë. Unë kam qenë kundër kësaj. I kemi dhënë disa vërejtje ZRRE’s. Kanë thënë se do t’i marrin parasysh”, ka thënë Berisha, për Express, të dielën.

Ky deputet ka thënë se do të shohin se si po shkon kjo formë e faturimit të rrymës dhe nëse vërtetohet se është i dëmshëm për konsumatorët do të bëjnë një raport i cili do të votohet në Parlament për rrëzimin e këtyre tarifave.

“Proceduralisht nuk i di të gjitha detajet se si shkon, por, ne si Komision mund ta bëjmë një raport, ta miratojmë në Parlament dhe ta rrëzojmë këtë formë të faturimit”, ka paralajmëruar Berisha.

Sidoqoftë, deri para këtij muaji në Kosovë janë zbatuar disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa janë ndarë edhe për sezonin veror dhe dimëror.

Gjatë sezonit të dimrit për konsumatorët që kanë shpenzuar deri në 600 kilovat, çmimi i energjisëka qenë nga 2.79 centë deri në 11.17 centë.

Kurse, gjatë sezonit të verës këta konsumatorë kanë paguar për kilovat të rrymës se shpenzuar nga 1.99 centë deri në 8.00 centë.