Çmimet e naftës bien shkaku i virusit Korona

E publikuar: 10/03/2020 09:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bursat në mbarë botën po reagojnë me humbje. Në Wall Street u pezullua pjesërisht tregtimi. Shitjet dramatike në bursa po vazhdojnë. Ndër shqetësimet për pasojat ekonomike nga epidemia e Coronavirusit po shtohet frika edhe nga një luftë për çmimin e naftës. Tregtarët në sfondin e rënieve në bursë e quajtën ditën e hënë një e “hënë e zezë”.

Ideksi gjerman i aksioneve DAX ra pjesërisht më shumë se 10 për qind duke e mbyllur ditën me një rënie prej rreth 8 për qind. Kjo është rënia më e madhe në harkun kohor të 14 muajve e krahasueshme me panikun e shkaktuar në bursa pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj kullave të World Trade Center në Nju Jork.

“Fluksi i lajmeve shokuese është i vështirë të përpunohet me arsye”, tha menaxheri i financave Thomas Böckelmann nga kompania e administrimit të pasurive Euroswitch.

Në Wall Street indeksi Dow Jones-Index i aksioneve ra me hapjen e bursës të hënën direkt me 7 pikë, rënia më e fuqishme qysh prej dhjetë vjetësh. Si pasojë e tensionit të krijuar në bursë aktiviteti u ndërpre për 15 minuta, në mënyrë që bursat të mbledhin veten.

EuroStoxx 50, ideksi orientues në Eurozonë ra me 5.66 për qind duke shënuar saktësisht 3049.06 pikë. Më parë pati rënie të bursave edhe në Azi. Indeksi orientues në Japoni Nikkei humbi 5 për qind.

Edhe në tregje të tjera të financave në rajonin aziatik kurset ranë dukshëm. Kurset e aksioneve në bursën e Seulit ranë me mbi 4 për qind. Në Kinë indeksi Shanghai Composite humbi 3.01 për qind duke shënuar 2943.29 pikë.

Tregtarët e bursës këto humbje i krahasojnë me krizat e bursave në viteve 1929 dhe 1987 ndaj e quajtën ditën e parë të kësaj jave si “e hëna e zezë”.

“Ndonëse në Kinë tashmë numri i të infektuarve duket se ka mbetur në vend duke mos pasur më rritje, vala e Coronavirusit është ende e paparashikueshme, se kur ajo do të marrë fund. Pasiguria është e madhe dhe perspektivat e koniunkturës dhe të tregjeve janë të vështira të parashikohen aq më tepër tani që po bie ndjeshëm edhe çmimi i naftës”, shkruan analisti i bankës kombëtare Helaba, Ralf Umlauf.

Luftë çmimesh për naftën mes Rusisë dhe Arabisë Saudite

Në tregun e naftës çmimi ra me 30 për qind pas dështimit të bisedimeve për uljen sasisë së nxjerrjes së naftës – në përqindje kjo është rënia më e fuqishme e çmimit që nga viti i luftës së Gjirit Persik në vitin 1991.

Menaxheri i financave Thomas Altmann nga kompania QC e cilësoi këtë si një “masakër të mirëfilltë”.

“Luftës kundër Coronavirusit po i shtohet tani edhe lufta për naftën. Depozituesit i shmangen gjithçkaje që mund të jetë me risk”, theksoi ai.

Gjeopolitika shkaku kryesor për rënien e çmimit të naftës

Si shkak për rënien e çmimit të naftës janë bisedimet e dështuara të kartelit të naftës OPEC me të ashtuquajturit OPEC+ përmbledh vendet që nxjerrin naftë si Rusia.

Të premten partnerët e bisedimeve të OPEC+ nuk arritën të bien dakord. Madje në deklaratën përmbyllëse të shteteve pjesëmarrëse mungonte edhe shtyrja e kufizimeve për nxjerrjen e naftës që janë aktualisht në fuqi. Përveç kësaj duket se rrezikon të përshkallëzojë grindja mes Arabisë Saudite dhe Rusisë për sasitë e ardhshme të nxjerrjes së naftës.

Agjencia e lajmeve Bloomberg duke iu referuar një pjesëmarrësi që nuk do të identifikohet me emër, ve në dukje, se Arabia Saudite në muajt e ardhshëm mund ta rrisë sasinë e nxjerrjes së naftës. Si rrjedhojë sasi e naftës nga vendi që kryeson OPEC-un mund të arrijë në një shifër të re rekord me deri në dymbëdhjetë fuçi (barrel) në ditë, bëhet e ditur.

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) të hënën duke iu referuar një pjesëmarrësi të delegacionit rus në bisedimet e OPEC+ në Vjenë, i cili nuk dëshiron të identifikohet, shkruan, se distancimi i Rusisë nga karteli i naftës mund të kuptohet edhe si një sinjal lufte në adresë të SHBA-së. Gjatë muajve të fundit sanksionet e reja nga Uashingtoni e kane zemëruar qeverinë ruse.

Ndër masat ndëshkuese të vendosura në shkurt nga SHBA bën pjesë edhe ndalimi i një filiali të Rosnftit rus. Rënia e çmimit të naftës e nxitur prej vendimit të Moskës mund të ketë pasoja edhe për nxjerrjen e naftës nga SHBA përmes metodës fracking. Me këtë metodë shtresat gurore çahen përmes presionit të fortë nga një përzierje e ujit, rërës dhe kimikateve, për të përftuar naftën. Kjo metodë është e kushtueshme dhe ia vlen të përdoret vetëm nëse çmimi i naftës është i lartë.

Një barrel, apo 159 litra, e naftës së llojit Brent nga Deti i Veriut kushtonte së fundi 32.83 dollarë. Kësisoj çmimi të hënën ishte 12.44 dollarë më i ulët se të premten. Çmimi për naftën amerikane të llojit WTI ra me rreth 12.44 dollarë në 28.84 dollarë. /Deutsche Welle/