Clinton: Bota duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë

E publikuar: 11/06/2019 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me nderime shtetërore është pritur sot në Kosovë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka nderuar ish-presidentin amerikan me medaljen Urdhri i Lirisë në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, transmeton kp.

Clintoni me këtë rast tha se e gjitha bota duhet të shohë Kosovën si vend të demokracisë.

“E gjithë bota sot, në gjithë këtë trazirë duhet ta shohë Kosovën si vend të demokracisë, i përkushtuar të përmirësohet e të rritet dhe të jetojnë në paqe me fqinjët, që është diçka për të cilën duhet të punojë çdo shtet, i madh e i vogël , brenda dhe jashtë kufijve të tyre. Mendoj që e keni mundësinë të bëheni shembull i botës edhe për 20 vjet tjera”, tha Clinton.

Bill Clinton tha se është krenar që ishte president në kohën kur populli i Kosovës kishte nevojë duke theksuar se çfarë është arritur deri më sot është dhe falë vendimit të popullit kosovar për të ndërtuar shtetin, shoqërinë dhe qeverinë dhe për të ecur drejt paqes.

I pyetur për dialogun Kosovë Serbi së cili është mesazhi i Clinton, ai pati këtë përgjigje.

“Kosova e meriton të jetë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në çdo organizatë tjetër në cilën mund të jetë çdo shtet i pavarur”, tha ai.

Në kabinetin e tij, prej ku i ndau dekoratën Urdhrin e Lirisë presidenti i Kosovës e falënderoi Clintonin dhe SHBA-në për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Ai e quajti ish presidentin amerikan hero të Kosovës.

“Sot pas 20 vitesh Kosova është e pavarur, gjatë tërë këtij rrugëtimi kemi ecur së bashku me ju, mbështetja juaj ka qenë jetike për lirinë pavarësinë dhe tash në rrugëtimin euroatlantik, andaj tregimi e Kosovës është tregim i suksesit të përbashkët. Ju jeni heroi ynë dhe iu falënderoj shumë-shumë në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duke u bazuar në kompetencat e mia si president i Kosovës, edhe si mik i juaji, sot ndaj çmimin në emër të institucioneve të Kosovës, Urdhrin e Lirisë, nuk ka çmim që mund të shpërblejë atë kontribut tuaj, është liria e vendit të Kosovës që ka reflektuar me paqe dhe stabilitet në Ballkanin perëndimor”, tha Thaçi.

Clinton ka ardhur në Kosovë mëngjesin e sotëm. Pas takimit me Thaçin ai u prit nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Clinton do të marrë pjesë nesër në manifestimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.