Clinton beson se hetimi i ri nuk do të ndryshoj asgjë

E publikuar: 29/10/2016 11:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidatja demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, thotë se është e sigurt se hetimi i ri i agjencisë FBI për emailat e saj, nuk do ta ndryshoj konkludimin e parë, që ajo të mos akuzohet.

“Populli amerikan meriton t’i ketë menjëherë faktet e plota dhe komplete”, tha mbrëmë vonë, Hillary Clitnon.

Ajo ka kërkuar nga agjencia FBI që “ta shpjegoj këtë çështje, pavarësisht se çka është ajo, pa vonesë”.

Hetuesit federalë thanë se ata do të zhvillojnë hetime për emailat e rinj që janë paraqitur lidhur me përdorimin e serverit privat të emailit.

Ky njoftim i bërë nga drejtori i agjencisë FBI, James Comey, në një letër dërguar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, e ka shtuar paqartësinë në fushatën presidenciale amerikane, më pak se dy javë para ditë së zgjedhjeve.

Tashmë FBI ka zhvilluar hetime nëse përdorimi i serverit privat nga ana e zonjës Clinton, derisa ishte sekretare amerikane e shtetit, ka mundur të ketë pasoja në çështjen e informatave sekrete.

Në muajin korrik të këtij viti, zoti Comey tha se hetuesit nuk kanë gjetur asgjë ilegale, por e ka kritikuar zonjën Clinton për vlerësim të gabuar.

Hillary Clinton pat kërkuar falje./rel/