Clevelandi shkarkon trajnerin Tyronn Lue pas gjashtë humbjeve radhazi

E publikuar: 28/10/2018 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Cleveland Cavaliers e kanë shkarkuar trajnerin Tyronn Lue të dielën dhe në vend të tij e kanë angazhuar asistentin Larry Drew. Bashkë me të është shkarkuar edhe asistenti tjetër Damon Jones.

Në mungesë të LeBron James, skuadra ka zhgënjyer në këtë fillimsezoni duke regjistruar gjashtë humbje rresht në NBA.

Lebron nënshkroi për Los Angeles Lakers gjatë verës (Foto: Ronald Cortes/Getty Images/Guliver)

Kjo i ka kushtuar me punë trajnerit, i cili është konsideruar si përgjegjës për paraqitjen e dobët të ekipit.

Lue i drejtoi Cavaliersat drejt titullit të NBA në vitin 2016 që ishte edhe triumfi i parë që nga viti i largët 1964.

Njëherësh vlen të theksohet se nën drejtimin e tij, Clevelandi arriti katër herë rresht në finale.

Trajneri Tyronn Lue me lojtarët e tij (Foto: Gregory Shamus/Getty Images/Guliver)

“E falënderojmë për mënyrat e shumta që ka kontribuuar për suksesin tonë, ia dëshirojmë të gjitha të mirat dhe ai gjithmonë do të mbahet mend për drejtimin e një ekipi shumë të veçantë të Cavs që e fitoi titullin në vitin 2016”, ka thënë menaxheri gjeneral, Koby Altman.

Kujtojmë që LeBron gjatë verës u largua (për të dytën herë në karrierën e tij) nga Clevelandi dhe nënshkroi si transfer i lirë për Los Angeles Lakers, ndërsa Cavaliers kanë zhgënjyer në mungesë të tij.

Me rastin e shkarkimit të trajnerit, James ka bërë një postim në Twitter duke e falënderuar Luen për suksesin e përbashkët. /Telegrafi/