Clark: Është koha të përmbyllet shtetndërtimi në Kosovë

E publikuar: 15/05/2018 18:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një intervistë ekskluzive dhënë për mediat e GRUPIT Koha, KTV dhe “Koha Ditore”, gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, ka rikujtuar luftën e Kosovës dhe veprimet që sollën fushatën e bombardimeve të NATO-s, nën udhëheqjen e tij, e cila edhe solli çlirimin e Kosovës nga Serbia, si dhe pavarësimin e Kosovës, gati dhjetë vjet pas fundit të luftës.

Por Clark foli edhe për nevojën që të përmbyllet ndërtimi i shtetit të Kosovës, derisa paralajmëroi se ende ka kërcënime në rajonin e Ballkanit që mund ta pengojnë progresin, duke bërë thirrje për përfshirje më të madhe të Perëndimit në Kosovë dhe rajon.

Në intervistë, e cila transmetohet sonte në “Interaktiv” të KTV-së dhe publikohet të mërkurën në “Kohën Ditore”, gjenerali Clark po ashtu theksoi nevojën e ndërtimit të një demokracie të vërtetë, në të cilën pushteti dhe liderët i shërbejnë vendit, ndërsa ndodh edhe rotacioni demokratik në qeverisje.

“Në demokraci… pritja nuk është të mbetesh në post gjithë jetën”, tha Clark, duke theksuar se për dallim nga vendet e rajonit ballkanik, po edhe të Evropës Lindore në përgjithësi, politikanët në Perëndim çojnë jetë modeste dhe nuk pasurohen nga puna në Qeveri.