Çka synon Rusia në raport me Kosovën

E publikuar: 09/11/2017 19:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lufta propogandistike dhe dezinformuese e Rusisë po atakojnë Kosovën. Duke synuar pasqyrimin sa më të shtrembër të Kosovës nëpër botë, Rusia duket qartë se ka marrë hov të dukshëm në ndërtimin e pamjes sa më të keqe për Kosovën.

Elementet kryesore të kësaj lufte propaganduese të Federatës Ruse në raport me Kosovën duket se mund të përmblidhen në të paktën këto:

Shtrembërimi i të vërtetës së Kosovës nga jashtë dhe në raport me shtetet tjera; Paraqitja e Kosovës si “territor i pushtuar nga SHBA dhe NATO”; Forcimi i mekanizmave, përveç tjerash, edhe Satelitorë në fqinjësi (në Serbi); Konfuzioni për qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës dhe për “domosdoshmërinë” e gjetjes së statusit tjetër juridik të Kosovës; Synimi për të portretizuar Kosovën si “enklavë kriminale”, sikurse edhe Akuzimi i vazhdueshëm dhe agresiv për “marrëveshjen e fshehur SHBA-BE për radikalizimin politik të autoriteteve të Kosovës”.

Metodat e ndryshme, duke përfshirë ato moderne të teknologjisë janë mjetet që përdoren nga autoritetet ruse për të arritur objektivat e saj.

Kjo mënyrë e funksionimit të propagandës dhe dezinformimit rus nuk është e atypëratyshme. Por, është e precizuar dhe e planifikuar. Në Konceptin e Politikës së Jashtme të Federatës Ruse – të miratuar nga Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin më 30 nëntor 2016 – thuhet shprehimisht se mekanizmat e “fuqisë së butë” tregojnë përpjekjet dhe metodat e reja për arritjen e objektivave ruse.

Autoritetet e Federatës Ruse përmes interpretimeve propagandistike rreth zhvillimeve në Kosovë duket se kanë për qëllim të qartë rritjen e konfuzionit rreth qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës. Jo rrallë herë vërehet se autoritetet ruse paraqesin shtetësinë e Kosovës si diçka krejtësisht të përkohshme dhe që statusi i Kosovës do të jetë çështje e re në raportet në Ballkan dhe më gjerë. Për më shumë, autoritetet ruse në dy vitet e fundit vërehet se kanë rritur në mënyrë intensive komentimin e zhvillimeve në Ballkan në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti.

Duke marrë parasysh veprimet konkrete të ndërlidhura sidomos me “Qendrën Humanitare në Nish” dhe të tentim-grusht shtetit në Mal të Zi, sikurse edhe luftën informative propagandistike ndaj Kosovës dhe të vërtetës së Kosovës, qartësisht mund të konkludohet se Federata Ruse synon të përhap konfuzion të plotë nëpër botë rreth Kosovës.

Një rast ilustrativ për interpretimet propagandistike të Federatës Ruse ndaj Kosovës është edhe komentimi përmes komunikimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, duke i paraqitur këto rezultate si një “radikalizim politik i autoriteteve në Prishtinë, si pasojë e një marrëveshjeje të heshtur midis SHBA-s dhe BE-së”.

Prandaj, një qasje gjithëpërfshirëse institucionale dhe e shoqërisë kosovare me qëllim të përballjes me luftën propagandistike të Rusisë kundër Kosovës është e domosdoshme dhe kërkon qartësim strategjik.

Po ashtu, është i rëndësishëm hulumtimi i plotë për të hedhur dritë mbi ndikimin rus në rajon dhe në Kosovë.

Tek e fundit, ndikimi i Federatës Ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, është manifestuar ose në aspektin e përpjekjeve për të prishur stabilitetin e disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, ose në rrugën e tyre Euro-Atlantike apo të BE-së. Ky argument është edhe më i besueshëm, duke pasur parasysh konceptin e politikës së jashtme ruse, pika C, që thekson se “aktivitetet e politikës së jashtme të Rusisë do të synojnë përmbushjen e objektivave kryesore në vijim: Për të konsoliduar pozicionin e Federatës Ruse si një qendër e ndikimit në botën e sotme”.

Përkundër faktit se shumica e popullsisë së Kosovës, si dhe institucionet e Kosovës janë të orientuara qartësisht kah Perëndimi, institucionet dhe aktivistët e shoqërisë në Kosovë duhet të masin dhe të përcaktojnë ndikimin e Federatës Ruse në përgjithësi në Kosovë, me fokus të veçantë në komunitetet, shoqërinë civile, mediat dhe ekonominë/biznesin. Një qasje e tillë është e domosdoshme për të ndihmuar institucionet e Kosovës në procesin e vendimmarrjes dhe në përpjekjet e saj për të qëndruar të paluhatshëm dhe të sigurt në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike.