Çka po ndodh me Vetëvendosjen?!

E publikuar: 13/04/2015 22:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja e drejtuar deri dje nga ana e Albin Kurtit, dhe tani e udhëhequr nga Visar Ymeri, kohëve të fundit duket se nuk i ka edhe aq mirë punët për brenda. Pas disa përjashtimeve që kjo lëvizje ua bëri disa anëtarëve të saj, sidomos Ajnishahe Halimit dhe Arben Gecajt, ka bërë që të shtohet shumë pakënaqësitë në Vetëvendosje.

Sot edhe zyrtarisht nga kjo lëvizje dha dorëheqje kandidati për deputet në zgjedhjet e 8 qershorit, Leon Duhanaj.

Ai përmes një njoftimi që e ka lëshuar për medie ka njoftuar opinion për dorëheqjen nga ky subjekt politik.

Si shkas për dorëheqje Duhanaj ka përmendur mungesën e transparencës në Lëvizjen Vetëvendosje për çështje vitale organizative, ngufatjen e mendimit dhe shprehjes së lirë brenda organizatës dhe, përjashtimi i mendimit ndryshe.

Gazeta Blic nga burime brenda kësaj lëvizjeje ka marrë vesh se ka shumë pakënaqësi me mënyrën se si po udhëhiqet partia. “Përjashtimi i Ajnishahe Halimit dhe mënyra se si po udhëhiqet partia, ka bërë që shumë anëtarë nga kjo lëvizje të shprehin pakënaqësi. Ka gjasa që ditëve në vijim të largohet edhe ndokush nga partia, madje në mënyrë publike”, tha ky burim.

Lëvizja Vetëvendosje është partia e tretë më e madhe në Kosovë, pas PDK-së dhe LDK-së.